Nesër do të dihet se çfarë masa do të ndërmerren për SHF “ Marsi” në Çellopek të Tetovës, ku nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit sot bënë mbikëqyrje të jashtëzakonshme, duke kërkuar përgjegjësi për organizimin e manifestimit shkollor në të cilin morën pjesë nxënës të veshur me uniforma ushtarake me emblema të UÇK-së dhe me pushkë në dorë.
Kjo ngjarje ka ndodhur më 28 nëntor kur shqiptarët e shënuan Ditën e Flamurit, ndërsa Inspektorati sot kreu mbikëqyrje të jashtëzakonshme në shkollën fillore “7 Marsi”.
“Ende nuk është përpiluar procesverbali, besoj se më së voni deri nesër do të jetë gati dhe do të veprohet sipas ligjit. Do të ketë masa, por presim të përfundojë mbikëqyrja”, deklaroi për MIA-n drejtori i Inspektoratit, Shaban Allajbegu.