Inflacioni në Maqedoni edhe më tej mbetet i lartë me 11.6 për qind në muajin maj, duke mos u ulur nën 10 për qind. Bile të dhënat statistikore për muajin të Bankës Popullore tregojnë se në nivel vjetor vetëm kostoja e ushqimit si pjesë e inflacionit është rritur me 14.8 për qind. Shtrenjtim më i madh në muajin maj gjithashtu në nivel vjetor është regjistruar tek produktet ushqimore, gjegjësisht tek mishi me 23.4 për qind dhe tek buka dhe drithërat me 20.1 për qind.
Të dhënat statistikore për inflacionin kanë një trend të uljes megjithëse inflacioni ka mbetur dyshifror në muajin maj. Në muajin prill, inflacioni vjetor i matur me rritjen e kostos së jetesës ishte 13 për qind, ndërsa në mars ishte 14.7 për qind. Në zbutjen e më tejshme të inflacionit ndikon edhe shtrenjtimi i caktuar i parasë apo rritja e kamatave, shtrenjtimi eventual i rrymës, ulja e çmimit të karburanteve nga 110 në 70-80 denarë, rritja eventuale e pagave, ulja e kostos së prodhimeve ushqimore sezonale e kështu me radhë.
Pavarësisht kësaj tendence të rënies, inflacioni në Maqedoni akoma është ende në një nivel shumë më të lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian. Këtë e tregojnë edhe të dhënat e “Monitorit të inflacionit”, sipas të cilit inflacioni në Evropë është shumë më i ulët në raport me ekonominë vendore.
Kështu, sipas të dhënave të Eurostat-it, të publikuara në fillim të këtij muaji, inflacioni vjetor në Eurozonë në maj ishte 6.1 për qind, pasi në muajin prill çmimet e mallrave të konsumit u rritën me shtatë për qind me bazë vjetore.
Nga partia opozitare VMRO–DPMNE propozojnë ulje të harxhimeve të jetesës përmes ndryshimeve të Ligjit për TVSH. “Ndryshimet e propozuara parashikojnë përjashtimin nga TVSH-ja e produkteve për konsum njerëzor. Me këtë masë çmimet e produkteve ushqimore do të ulen menjëherë me të paktën 5 për qind. Propozimi – zgjidhja i lë mundësi Qeverisë të përcaktojë vetë se cilat produkte do të lirohen nga TVSH-ja”, thotë deputeti Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE. Sipas tij, se kjo zgjidhje është e nevojshme pas përfundimit të masave që kufizuan çmimet e produkteve ushqimore.
Nga ekzekutivi presin që inflacioni të zvogëlohet nën 10 për qind, duke shtuar se një ndikim të madh ndaj inflacionit kanë faktorët e jashtëm. “Ne jemi të ekspozuar ndaj forcave ekonomike që nuk njohin kufij dhe që ndikojnë në përcaktimin e performancës sonë. Kriza ekonomike nuk ka përfunduar ende, dhe çështjet e energjisë janë ende të hapura. Nuk kishte asnjë ekonomi që të mos ndjente pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, një luftë që vazhdon ende dhe askush nuk mund të parashikojë se si do të zhvillohet. Gjithashtu ekzistojnë shumë faktorë variabil që ndikojnë në inflacion, tek të cilët ne nuk kemi ndikim edhe pse jemi të ekspozuar ndaj pasojave të tyre”, thotë nënkryetar i LSDM-së dhe zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi. Ai pret të vazhdojë trendi i uljes së inflacionit nga 19.8 për qind në muajin tetor kur ishte kulminacioni, dhe shpejt të kemi normë një shifrore të inflacionit për shkak të masave të ndryshme, zhvillimeve të përgjithshme gjeopolitike, etj.
Nga ana tjetër, në lidhje me të pritjeve për normën e inflacionit në periudhën e ardhshme, bazuar në sondazhin e Bankës Kombëtare, analistët ekonomikë vazhdojnë të parashikojnë ngadalësimi gradual të inflacionit pas arritjeve të larta në vitin 2022 dhe ato janë kryesisht në përputhje me dinamikën e parashikuar të inflacionit të Bankës Kombëtare dhe institucioneve ndërkombëtare. Analistët e anketuar udhëzojnë se pasiguria në lidhje me dinamikën e ardhshme të çmimeve primare produkte në bursat botërore, veçanërisht në tregjet e energjisë dhe ushqimit ende ekziston dhe kjo theksohet për shkak të zhvillimeve ushtarake në Ukrainë dhe sanksioneve ndaj Rusisë. Pritshmëritë e analistëve ekonomikë të anketuar të shprehur në muajin mars, janë në të njëjtin drejtim, sipas të cilit parashikohet një ngadalësim i normës së inflacionit, në nivelin 10.4 për qind në vitin 2023, 5.5 për qind në vitin 2024 dhe 4.1 për qind në vitin 2025. Nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për Maqedoninë parashikojnë sivjet inflacion vjetor prej 9.2 për qind, Ministria e Financave parashikon 7.1 dhe Banka Popullore një normë inflacioni prej 8-9 për qind. (koha.mk)


