Dhjetëra infermierë të punësuar në spitalin e Tetovës përsëri protestuan për të kërkuar zgjidhjen e statusit të tyre dhe pagat e tyre të vonuara.
Thanë se nuk kanë asnjë përkrahje nga sindikatat, ndërsa nga takimi i fundit me drejtorin e spitalit thonë se nuk kanë pasur asnjë kontakt më me të.
“Spitali i Tetovës mbahet gjallë nga ne, por neve na kanë harruar. Ne nuk po kërkojmë dhurata kërkojmë pagat tona të vonuara, kërkojmë kontratat tona të munguara, kërkojmë vendimet tona të merituara dhe premtuara, boll më me rrena. Sa kohë do të vazhdojë kjo padrejtësi nuk do të heshtim, nuk do të ndalemi sepse spitali pa neve nuk ka gjallëri”, tha njw infermiere.
Kryeinfermierja në Tetovë tha se nëse infermierët që ju ka mbaruar kontrata nuk do të vazhdojnë punën, do të krijohet kolaps ndërsa tha se shpresojnë ta zgjedhin këtë problematikë me emërimin e ministrit të ri.
“Besoni se paraprakisht është e vërtet se na është premtuar se do të ketë edhe konkurse edhe punësime, do u jepen vendime të punësuarve, prej ministrisë se premtimet vinë prej më lartë, nuk vinë prej këtu, nuk mund ti sajojmë ato gjëra, edhe ndodhi si ndodhi e dini si është situata dhe ndodhi kjo, ne gjithsesi jemi në pritje pasi të zgjidhet ministri i ri shpresojmë sa më shpejtë të zgjidhen edhe këto probleme”, u shpreh Lindita Zaimi, Kryeinfermiere në spitalin e Tetovës.
Rreth 140 infermierë kanë mbetur pa kontrata pune, disa prej tyre kanë shumë vite që punojnë me status të pazgjidhur.
Dy ditë më parë Alsat publikoi një e-mail, komunikim i brendshëm i Ministrisë së Shëndetësisë përmes së cilit, ish Ministri Arben Taravari në ditën e parë të punës në krye të shëndetësisë kishte urdhëruar të gjitha Spitalet publike, në mesin e të cilave edhe të Tetovës për ndërprerjen e procedurës së punësimeve.
Në dokument i cili rezulton i datës 24 qershor thuhej që në vazhdën e realizimit të aktiviteteve e që ndërlidhet me punësimet në Institucionet e Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë ju urdhëron që të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me punësimet, të ndërpriten përkohësisht, pa marrë parasysh fazën në të cilën janë. / Alsat.mk