Duket se përpjekjet e Indisë për ta lëshuar në polin jugor të Hënës një sondë nuk kanë shkuar sipas planit pasi shkencëtarët i humbën kontaktet me të disa minuta para lëshimit të planifikuar.
“Komunikimi mes sondës dhe stacionit tokësor është humbur”, tha Kailasavadivoo Sivan, shef i Organizatës Indiane për Kërkime në Hapësirë, të shtunën në mëngjes. Ai shtoi se shkencëtarët janë ende duke i analizuar të dhënat.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i cili ishte i pranishëm në qendrën e kontrollit, Isro, i dha përkrahje morale ekipit të shkencëtarëve, duke thënë se është krenar me ta, pavarësisht humbjes së kontaktit me sondën.
Ky mision, me të cilin India synonte të bënte kërkime shkencore në një pjesë të pastudiuar të Hënës, është projekti më ambicioz dhe i ndërlikuar që është nisur nga autoritetet indiane. Vetëm tri shtete të tjera – Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara – kanë arritur ta realizojnë më parë një mision të tillë.
Arritjet e Indisë në sektorin e hulumtimeve hapësinore janë vlerësuar nga kryeministri Modi si simbol i ambicieve të rritura të këtij vendi si fuqi botërore.
Shkencëtarët kishin planifikuar që sonda të qëndrojë në sipërfaqen e Hënës për dy javë dhe të merrte të dhëna të rëndësishme për përbërjen e sipërfaqes së Hënës, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.



