MPB: Dy të plagosur me thikë në Çair, pas një përleshjeje pranë një palestre – në vendin e ngjarjes është gjetur edhe substancë e dyshimtë
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se dy persona janë plagosur pas një zënke që ka ndodhur pranë një palestre në rajonin e Çairit. Sipas Policisë, gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një substancë e bardhë në formë pluhuri.
“Sipas njoftimit të marrë më 01.06.2025, në orën 22:00, nga Spitali i Përgjithshëm i Qytetit ‘Shën Naumi i Ohrit’ – Shkup, është raportuar se tek ata është pranuar I.A. (38) nga Shkupi me plagë të marra nga një mjet i mprehtë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45, para një palestre në Çair, ku I.A. dhe vëllai i tij A.A. (32) kanë tentuar të ndajnë tre persona të përfshirë në një përleshje fizike, por janë sulmuar me thikë. Si pasojë, edhe A.A. ka pësuar plagë dhe është dërguar në Kompleksin e Klinikave ‘Nëna Terezë’ për trajtim mjekësor.”
Sipas MPB-së, më vonë në Spitalin e Qytetit është paraqitur edhe B.R. (25) nga Shkupi, i cili ka deklaruar se është sulmuar nga A.A., ndërsa nga ana tjetër, vëllezërit I.A. dhe A.A. janë sulmuar nga B.S. dhe A.S.
“Ekipi hetimor i SPB Shkup ka kryer inspektim në vendin e ngjarjes, ku është gjetur edhe një substancë e bardhë pluhur”, thuhet në njoftimin e MPB-së.(INA)