Vazhdojnë përplasjet politike mes BDI-së dhe koalicionit VLEN lidhur me prezencën e Gashit, Taravarit, Mexhitit dhe Ibrahimit në inaugurimin e presidentit Trump në Uashington. Nga BDI thonë se krerët e VLEN nuk kanë arritur të marrin pjesë në inaugurimin e Trampit, ndërsa deklaratat publike për një ftesë zyrtare ishin mashtrim i turpshëm dhe përpjekje e shëmtuar për të krijuar iluzion të mbështetjes ndërkombëtare, thonë nga BDI.
“Në vend që të përfaqësonin dinjitetshëm interesat e qytetarëve, ata u panë duke endur rrugëve të Uashingtonit, duke publikuar foto groteske në rrjetet sociale përpara posterave të ceremonisë dhe ndërtesave qeveritare. Kërkojmë që çdo njëri prej tyre të bëjë publike fondet e shpenzuara nga shteti për këtë ekskursion dhe më pas, Prokuroria Kundër Korrupsionit të nisë një hetim të plotë dhe të paanshëm mbi këtë skandal”, thonë nga BDI.
Thirrjet e BDI-së non grata dhe patericave të saj janë vetëm përpjekje të dëshpëruara për të shpërqendruar qytetarët nga e vërteta, shqiptarët janë të lodhur nga mashtrimet dhe fjalët e tyre boshe! Kështu VLEN i reagon BDI-së
“BDI është e izoluar! Ata nuk i dëgjon askush, as brenda vendit dhe as jashtë. Amerikanët i kanë vulosur si të padëshiruar, dhe këtë nuk e mbulojnë dot me fjalë të mëdha. Ne, koalicioni VLEN, jemi krenarë që respektohemi ndërkombëtarisht. Pjesëmarrja jonë në inaugurimin e Presidentit Trump është një nder dhe një dëshmi e pozicionit tonë të fortë në arenën ndërkombëtare. Në vend që të kërkojë akuza kundër të tjerëve përmes kumtesave, BDI duhet të shikojë në oborrin e saj dhe të shpjegojë se si liderët e saj arritën deri në atë pikë që të jenë në lista të zeza apo nën monitorim nga institucionet ndërkombëtare”, thonë nga VLEN.
Si delegacion qeveritar në Uashington udhëtuan kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i jashtëm Timço Mucunski, zv.kryeministri Izet Mexhiti dhe zv.ministrja për çështje evropiane, Viktoria Trajkov. Në inaugurim morën pjesë edhe kreu I Kuvendit Afrim Gashi, ministri I shëndetësisë Arben Taravari dhe kreu I Alternativës Zeqirija Ibrahimi. Asnjëri prej tyre nuk e ka publikuar ftesën për të konfirmuar se është direkte nga administrata. /Alsat.mk