16 Janar
Deputeti i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski i bën thirrje Presidentit Gjorge Ivanov të mos e dekretoj ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ndonëse i vetëdijshëm se mos dekretimi do ta kthen ligjin në lexim të tretë, Dimovski kërkon ligjin të mos e votojnë kolegët e tij nga shumica parlamentare.
Presidenti Ivanov të mos e nënshkruaj propozimin e miratuar. Por kjo do të bënte që ligji për 30 ditë të kthehet përsëri në Kuvend për lexim të tretë. Në atë lexim, që ligji të miratohet duhet patjetër të votohet me 61 vota. Derisa 8-9 deputet të LSDM-së dhe koalicionit, kthjellen dhe i dëgjojnë apelet jo vetëm të oponentëve politik por edhe të mbështetësve të tyre, kjo do të nënkuptonte mos miratim të ligjit- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
Si mundësi të fundit, Dimovski thekson iniciativën në Gjykatën Kushtetuese.
Do të dorëzoj iniciativë në bazë të gjitha diskutimeve që i kam pasur në Kuvend dhe amendamenteve të parashtruara. Në atë ligj, nga gjithë 25-26 nenet, vetëm neni i fundit është Kushtetues pra ai ku tregohet se kur ligji hyn në fuqi- tha ai.
Dimovski tha se iniciativa në Kushtetuese do të jetë personale dhe jo partiake por shtoi se ka mbështetjen e bashkëpartiakëve dhe ekspertëve. Në procedurën për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk u shqyrtua asnjë amendament. Në ditët kur në Komisionin amë shqyrtoheshin amendamentet, VMRO-DPMNE-ja filloi bojkotimin e punës së Kuvendit. Propozim ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua më 11 janar me 69 vota pro asnjë kundër dhe asnjë i përmbajtur, ndërsa në votimin me badenter një deputet ishte i përmbajtur. Në vijim e sipër është procedura për dekretimin e të njëjtit nga Presidenti Gjorge Ivanov. Nga kabineti i tij edhe pse kanë mbetur edhe 5 ditë deri në afatin e paraparë për dekretim, nuk shpjegojnë nëse Ivanov do ta dekretoj ligjin. Njëherësh, Ivanov në Kuvend dha indikacione se të njëjtin mund të mos e dekretoj pasi që sipas tij ligji bie në kundërshtim me interesat shtetërore.
Adrian Kerimi

