Anëtarja e kryesisë së PD, Ilda Zhulali ka reaguar në lidhje me lajmin se, Serbia do të hapë konsullatë në Shkodër dhe Shqipëria në Bujanoc.
Zhulali kërkon një reagim të urgjent nga ministri i Jashtëm Ferit Hoxha në lidhje me këtë çështje.
Reagimi i Ilda Zhulalit:
Nga mediat serbe serviret lajmi se ministri i jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç ka deklaruar se është dakordësuar në parim me ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, që të hapen dy konsullata, e Shqipërisë në Bujanoc dhe e Serbisë në Shkodër. Ministri Hoxha duhet të përgjigjet publikisht urgjentisht për këtë pretendim.
Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të shkonte përtej një skandali, si ato që kaloi përciptazi 2 herët e kaluara.
Hapja e një konsullate bëhet kur një vend ka komunitet të madh diaspore të hershme apo të re, që jetojnë, punojnë ose studiojnë atje dhe kanë nevojë për shërbime konsullore (pasaporta, viza, certifikata, ndihmë ligjore); ka interes ekonomik e tregtar të konsiderueshëm në atë zonë (investime, eksport-import, kompani që operojnë atje); ka flukse turistike domethënëse në të dyja drejtimet, që kërkojnë asistencë konsullore të shpejtë; dhe kur marrëdhëniet politike/diplomatike janë aq të zhvilluara sa të justifikojnë prani shtesë, përtej ambasadës.
Hapja e një konsullate të Serbisë në Shkodër nuk reflekton asnjë nga këto elementë, dhe vendos tinëzisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Në qarkun Shkodër, sipas Censit 2023, jetojnë vetëm 54 persona të vetëdeklaruar si serbë, 106 janë vetëdeklaruar si malazezë, 90 boshnjakë, 26 bullgarë e 20 maqedonas.
Në Luginën e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës jetojnë dhjetëra mijëra shqiptarë, (25,465 shqiptarë në Bujanoc, 31,340 shqiptarë në Presheve, 1000 në Medvegjë, sipas statistikave zyrtare serbe), të cilët përballen me diskriminim shtetëror, pasivizim adresash dhe shkelje sistematike të të drejtave.
Por ajo që të lë pa fjalë është koha e kësaj ujdie të pretenduar. Dy javë më parë, kur Gjuriç u takua me ministrin Hoxha, nuk gjeti asnjë fjali apo koment, për t’u distancuar nga qendrimet “spastruese” të koleges ministre Paunoviç. Sikundër Ministri Hoxha nuk tha asnjë fjali për ndonjë dakordësi për “shkëmbim reciprok konsullatash”.
Jam kureshtare, në një takim margjinal, që normalisht zgjat 20-30 minuta, sa minuta iu kushtuan përgjegjësisë politike për deklaratat në të nxehtë për “spastrim etnik”, dhe sa minuta ujdisjes së kësaj marrëveshjeje konsullore, që tani po e marrim vesh nga Beogradi?
Ministri Hoxha duhet të sqarojë urgjentisht e në mënyrë shteruese rezultatet e takimit dorështrëngues me Gjuriç!



