Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) ka nisur një fushatë humanitare me qëllim mbështetjen e fëmijëve të Shkollës “Vasill Gllavinov” në Komunën e Çairit. Kjo iniciativë ka për qëllim të sigurojë veshje dimërore për fëmijët e moshës 6 deri në 14 vjeç, duke i ndihmuar ata të përballojnë më lehtë ditët e ftohta të dimrit.
Kutitë e donacioneve janë vendosur në ndërtesën e Rektoratit, si dhe në blloqet A dhe B të kampusit të universitetit. Të gjithë të interesuarit mund të dhurojnë nga 2 deri më 14 dhjetor.
Ndihmat e kërkuara përfshijnë pallto, shalla, dorashka, xhemperë dhe veshje të tjera dimërore.
Organizatorët theksojnë rëndësinë e cilësisë së artikujve të dhuruar. “Të gjitha donacionet duhet të jenë të pastra, funksionale dhe gati për përdorim,” thuhet në thirrjen zyrtare, duke u bërë apel që të shmangen artikujt e grisur apo të papërshtatshëm.
Përmes kësaj fushate, Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik synon të shpërndajë jo vetëm ngrohtësi fizike, por edhe shpresë dhe gëzim për fëmijët. Bëhuni pjesë e kësaj iniciative dhe ndihmoni për të sjellë buzëqeshje në fytyrat e tyre këtë dimër!