“Do të mundohemi që të bëhemi një komunë që e ndihmon sportin”, ishte kjo porosia që kandidati i Lëvizjes Besa për Komunën e Çairit, Zeqirja Ibrahimi e dha pasi së bashku me kandidatin e Aleancës për Shqiptarët, Faruk Avdiun ndoqën ndjeshjen mes klubit të “Shkupit” dhe “Pobedës”.
Në rast se ata do të jenë në krye të Komunës së Çairit për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, Ibrahimi tha se do të angazhohen që klubi shqiptar ‘Shkupi’ të ketë kushte më të mira, në mënyrë që siç tha ai të kenë edhe funksionim më të suksesshëm. Duke folur përgjithsisht për zhvillimin e fushatës, Ibrahimi tha se ajo po zhvillohet qetësisht, por janë oponentët e tij që siç tha ai po kërkojnë metoda alternative të manipulimit të votave.
“Fakti që sot ne jemi këtu flet edhe për përkushtimin dhe dëshirën tonë që të angazhohemi që vërtet klubi të jetë një klub futbollistik i cili e nderon jo vetëm Çairin, por gjithë shkupjanët pse jo edhe gjithë shqiptarët e Maqedonisë. Do të angazhohemi që gjatë mandatit tonë në krye të komunës së Çairit, që klubi të ketë funksionim normal dhe veçanërisht gjeneratat e reja që nga fatosat të mos e kenë hallin se kush i paguan shpenzimet e stërvitjeve”, deklaroi Zeqirja Ibrahimi. /SHENJA/

