Prokuroria Themelore Publike Shkup ka vepruar menjëherë për të verifikuar pretendimet e paraqitura nga njëri prej të akuzuarve gjatë seancës së djeshme në gjykimin për vrasjet e Vanja Gjorgjievskës dhe Pançe Zhezhovskit.
Me urdhër të prokurorit publik, një person është privuar nga liria dhe ndaj tij është hapur hetim për veprën penale “ndihmë ndaj kryerësit pas kryerjes së veprës penale”, sipas nenit 365 paragrafi 3 i Kodit Penal.
Sipas dëshmisë së njërit prej të akuzuarve, i dyshuari aktual ndihmoi në fshehjen e mjetit me të cilin janë kryer veprat penale për të cilat parashihet dënim me burgim të përjetshëm. Duke vepruar sipas udhëzimeve të të akuzuarit kryesor, i dyshuari ka marrë nga ambientet e partisë politike “Desna” një çantë blu, në të cilën ndodhej arma e zjarrit – pistoleta me të cilën janë kryer vrasjet, dhe e ka larguar nga partia, me çka ka ndihmuar të akuzuarit të mos zbulohen.
Për të verifikuar pretendimet, prokurori publik ka siguruar urdhra gjyqësorë për bastisje në dy lokacione, dhe janë duke u ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore, njofton Prokuroria.
Me qëllim garantimin e pranisë së të dyshuarit gjatë procedurës, prokurori kompetent ka paraqitur propozim në Gjykatën Themelore Penale Shkup për marrjen e masave të kujdesit – përkatësisht heqjen e përkohshme të pasaportës dhe ndalimin e lëshimit të saj, si dhe detyrimin për paraqitje të rregullt në gjykatë.
Hetimi kundër këtij personi përbën një çështje të veçantë, e cila nuk ndikon në procesin gjyqësor për rrëmbimet dhe vrasjet, i cili tashmë është në fazën përfundimtare dhe në kuadër të të cilit Prokuroria ka mbështetur aktakuzën me numër të madh provash verbale dhe materiale për veprat e kryera.
Personi i dyshuar, Z.D., i punësuar në Bankën Popullore, u arrestua dje me dyshimin se e ka marrë dhe e ka shkatërruar çantën e shpinës në të cilën, sipas deklarimeve të të akuzuarit Velibor Manev, ishte fshehur arma e zjarrit me të cilën u vranë Vanja Gjorgjievska dhe Pançe Zhezhovski.