Personi me emrin, Nexhat Rexhepi, dyshohet se nëpërmes telefonit e ka kërcënuar me jetë gjykatësen e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, Valbonë Dërvodeli, prokuroren e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Leonora Shemsiu-Kadriu, si dhe zyrtarin policor, Kastriot Demaj.
Nexhat Rexhepi, ka një rast në këtë gjykatë, e në të cilin ai akuzohet për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini.
Ajo ka thënë, se një person i dyshuar, ka thirrur në telefonin zyrtar në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë dhe është prezantuar me emrin Nexhat Rexhepi, nga Pograxha e Gjilanit, me banim në Austri, i cili ka kanosur me fjalët se “do ta vrasë gjyqtaren Valbona Dërvodeli dhe prokuroren Leonora Shemsiu-Kadriu.
Po ashtu, sipas zëdhënëses së prokurorisë, i dyshuari ka kanosur edhe zyrtarin policor, Kastriot Demaj.
“Organet kompetente janë duke u marrë me rastin në fjalë”, ka thënë zëdhënësja për informim Liridona Xheladini.
Kurse, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë se rasti menjëherë është proceduar në prokurori.
“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit është procedu direkt në prokurori”, ka deklaruar Hashani.
Ndërkaq, recepsionisti i Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, Kushtrim Rexha, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se më 24 tetor 2019, rreth orës 14:57, në gjykatë ka pranuar një telefonatë, ku sipas tij, ka thirrur një person dhe është paraqitur me emrin Nexhat Rexhepi, i cili ka kërcënuar gjykatësen Valbonë Dërvodeli, prokuroren Leonora Shemsiu-Kadriu, zyrtarin policor, Kastriot Demaj, por edhe atë personalisht.
“Më ka thënë se ko me t’vra. Arsyeja ka qenë se nuk e kam lidhë atë në telefon më gjykatësen Valbonë. Gjykatësja ka një rast vdekje dhe nuk kam pas mundësi me lidhë, se s’ka qenë në zyre. E kishin nalë në kufi diçka, ka pas urdhërarrest me sa e di”, ka thënë Rexha.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, më 26 shtator 2018, kishte lëshuar urdhërarrest ndaj të akuzuarit Nexhat Rexhepi, në pamundësi për sigurimin e tij në për pjesëmarrje në gjykim, në lëndën përkatëse penale që udhëhiqet ndaj tij.
“Betimi për Drejtësi”, ka bërë përpjekje që të kontaktojë edhe me të dyshuarin, por deri më tash kontakti me të ka qenë i pamundur.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 4 korrik 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Nexhat Rexhepi, me arsyetimin se ai më 16 qershor 2017, rreth orës 2:40, në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, ka sulmuar zyrtarët policorë Ibrahim Basha, Naser Hyseni dhe Kastriot Demi, derisa të njëjtit ishin në kryerje të detyrës zyrtare.
Sipas prokurorisë, pasi oficeri doganor Bekim Kqiku i kërkon të hapë bagazhin për kontroll të zakonshëm, i akuzuari frustrohet dhe me agresivitet fillon t’i nxjerrë senet nga bagazhi dhe t’i gjuajë në tokë, duke fyer e bërtitur “krejt i gjuj në tokë, kush jeni ju më më kontrollu”, dhe më pas me vënien nën kontroll rritet agresiviteti i të akuzuarit, me ç’rast fillon t’i kërcënojë me fjalët “se dini ju se kush jom, s’jeni tu e ditë me kon jeni kapë, kanë me pas problem edhe familjet e juve, kom m’jau gjet edhe fmitë e juve, ju jenu m… e të poshtër, dej qitu koka kanë e shkrume ja për mu, ja për juve, veç mos dalsha jashtë etj”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari i shtynë zyrtarët policorë me duar, ku gjatë arrestimit të tij dhe për shkak të kundërshtimeve, ai e lëndon zyrtarin policor, Ibrahim Basha, të cilat lëndime evidentohen në raportin mjekësor të lëshuar nga shtëpia e shëndetit në Kamenicë.
Me këtë, Nexhat Rexhepi akuzohet se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi




