Vizita në Moskë dhe në Kiev: Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban e konsideron veten në “mision paqeje 3.0” për Ukrainën. Qeveria federale e Gjermanisë thotë, se Orban nuk flet në emër të BE-së.
Imazhet në televizionin kinez nga shtëpia shtetërore e pritjes në Pekin tregojnë flamurin hungarez dhe atë kinez, por jo flamurin blu të BE-së: Arsyeja është se kryeministri hungarez Viktor Orban ndodhet në udhëtimin të deklaruar prej tij si “misioni i paqes 3.0” – stacionet e të cilit ishin Moska, Ukraina dhe tani Kina – ai e ka marrë i vetëm këtë udhëtim, pa mandat nga BE, sikurse theksuan disa herë përfaqësuesit e BE-së. Edhe qeveria federale e Gjermanisë nuk e konsideron, se Orban ka ndërmarrë tur vizitash për të negociuar në emër të BE-së.
Ai po udhëton si kryeministër i Hungarisë, tha zëdhënësi qeveritar Steffen Hebestreit në Berlin: “Ai i ka të gjitha mundësitë e hapura, por jo në emër të BE-së ose si presidenti i Këshillit të BE-së.” Për BE-në flasin kryediplomati Josep Borrell dhe presidenti i Këshillit Charles Michel “dhe askush tjetër”. Ministri i Ekonomisë dhe zëvendëskancelari Robert Habeck theksoi në një intervistë për televizionin Welt, se “Orbani ka udhëtuar në Kinë si kryeministër hungarez dhe jo si përfaqësues i Europës”. “Natyrisht ai mund ta bëjë këtë. Por ai nuk flet në emër të Europës në këtë pozicion”, tha Habeck.



