Humori përçmues ndaj grupeve etnike nuk është shaka, por nxitje shoviniste e paragjykimeve dhe stereotipive negative. Ashtu siç barsoletat dhe skeçet seksiste për „biondet“ fyejnë inteligjencën e grave, po ashtu edhe barsoletat dhe skeçet e pahijshme për romët, vllahët ose shqiptarët, fyejnë dhe përçmojnë grupe të tëra etnike.
Nga Valon Salihu, zëdhënës i Qytetit të Shkupit
Ne ishim dëshmitarë të një skeçi të tillë për shqiptarët para 10-të ditësh, kur në një video karikaturë „humoristike“një shqiptar Lulëzim, u stereotipizua negativisht si vjedhës i energjisë elektrike, si baba që nuk i konsideron vajzat si fëmijë, si gënjeshtar që korrupton dhe si një „katundar“ klasik që nuk ja e ka idenë se çfarë është jeta. Një humor i tillë përçmues, pa asnjë gram turp, provokoi reagime të shumta negative dhe videoja me „skeçin” shumë shpejt u fshi nga rrjetet sociale. Por, asnjë nuk kërkoi falje për humorin përçmues dhe fyes.
Në të njëjtën kohë, videoja reale gazetareske me Makfire Shaqirin, shofere autobusi në NTP, tërhoqi vëmendjen e pothuajse gjysmë milion qytetarëve me një numër shumë të madh reagimesh pozitive në rrjetet sociale. Në videon me mesazh të qartë „Në luftën për jetën nuk ka „profesion për femra dhe meshkuj“, Makfire Shaqiri tregon se si fëmija i saj u rrit në autobus pranë udhëtarëve, dhe personalisht i kupton paragjykimet negative të shoqërisë për gratë, prindërit kryefamiljar, shqiptarët, dhe ndarjet në profesione për „meshkuj“ dhe „femra“. Por, përkundër mesazheve inkurajuese të kësaj videoje hit, e cila tregoi se gazetarët mund t’i thyejnë me sukses stereotipet negative të shoqërisë, këto ditë, megjithatë, jemi dëshmitarë të krahasimeve të pabaza gazetareske, të cilat dërgojnë mesazhe stereotipe negative për shqiptarët.
Stereotipe negative gjatë pagimit të tatimit
Një hulumtim gazetaresk për atë se sa është pagimi i tatimit mbi pronën në komuna, u shfrytëzua nga disa medie për dërgimin e mesazheve „delikate“ se shqiptarët nuk paguajnë tatimin mbi pronën, që shkaktoi një ortek komentesh negative dhe diskriminuese në rrjetet sociale. Krahasimet e pabaza të „parajsës tatimore“ Harraçinë (e cila nuk është komunë e Shkupit) me disa komuna të Shkupit „rekorder“ si ajo e Qendrës, gjithashtu nxiti stereotipe negative dhe komente në opinionin e gjerë se edhe shqiptarët në Shkup paguajnë më pak tatime se qytetarët e tjerë. Por, çfarë tregojnë disa krahasime të të dhënave nga hulumtimi?
Të dhënat nga hulumtimi i Qendrës për Komunikime Civile tregojnë, për shembull, se Komuna e Çairit në periudhën nga viti 2017-2019 ka një pagim mesatar të tatimeve më të lartë se komuna e Manastirit dhe Ohrit, se Komuna e Sarajit, e cila në vitin 2019 ka një pagim tatimesh prej 90%, ka përqindje më të madhe pagimi nga Strumica dhe Shtipi. Gjithashtu, të dhënat tregojnë se edhe në Komunën Shuto Orizare paguhet përqindje e njëjtë tatimi si në Komunën Petrovec në periudhën nga viti 2017-2019. Dhe këtu bien poshtë të gjitha përpjekjet për një prezantim sensacional dhe stereotip negativ të disa bashkësive “jo pagues të tatimeve“.
Rritja e pagimit të tatimeve, do të thotë rritje e besimit në Qytetin e Shkupit dhe komunat e tij
Të dhënat më të reja për rritjen e përqindjes së pagimit të tatimit mbi pronën në Shkup për vitin 2019 janë njësoj inkurajuese si edhe reagimet e shkupjanëve ndaj videos së Makfire Shaqirit. Përveç komunave “Gjorçe Petrov” (99%), “Aerodrom” (98%), “Karposh” (97%), dhe “Qendër” (94%) ku kemi përqindje të madhe të pagimit të tatimit, rritet pagimi i tatimit edhe në komuna të tjera të Shkupit nga viti 2017 deri në vitin 2019: Kisela Voda (nga 78% në 90%), Çair (nga 68% në 91%), më shumë në Saraj (nga 46% në 90%), Shuto Orizare (nga 62% në 74%), Butel (nga 77% në 89%), Gazi Baba (nga 63% në 71%).
Sipas komunave, kjo është rezultat jo vetëm i rritjes së aktiviteteve afariste, por edhe i rritjes së vetëdijes së qytetarëve në Qytetin e Shkupit (ku kryhet pagimi) dhe në komuna.
Nëse shkaqet kryesore për përqindjen e vogël të pagimit të tatimit mbi pronën në disa komuna është transparenca e pamjaftueshme dhe llogaridhënia e komunave ndaj qytetarëve (siç sugjerojnë ekspertët), atëherë rritja inkurajuese e përqindjes së pagimit të tatimit duhet të interpretohet si tregues për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së komunave dhe Qytetit të Shkupit. Kur qytetarët shikojnë se paratë nga tatimet e tyre nuk shpenzohen për fasada barok, rrota panoramike, monumente tejet të shtrenjta dhe figura dylli, por në projekte infrastrukturore dhe të tjera për një Shkup dhe komunat e tij më të bukur, më të pastër dhe më të gjelbëruar, atëherë rritet edhe besimi te qyteti dhe komunat, dhe në përputhje me të edhe pagimi i tatimeve.
U rrit bashkëpunimi ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe komunave
Siç u vu re edhe nga ana e disa gazetarëve, diferenca në përqindjen më të madhe të pagimit të tatimit në Çair dhe Saraj, krahasuar me Tetovën dhe Gostivarin, qëndron në faktin se sistemin e pagimit е menaxhon administrata e Qytetit dhe jo ajo komunale. Sistemi më efikas i pagimit të tatimeve në Qytetin e Shkupit, siç thekson edhe kryetari Petre Shilegov, është rezultat i përmirësimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet Qytetit dhe komunave, në drejtim të planifikimit dhe realizimit të një politike të përbashkët të qytetit, e cila është në interes të të gjithë shkupjanëve.
Kur lojtarët në terren bashkëpunojnë dhe koordinohen më mirë, jepen edhe më shumë gola në rrjetë, ashtu siç tregoi ekipi ynë kombëtar i futbollit kur arriti të mposhtë katër herë kampionin botëror Gjermaninë, dhe atë në terrenin e saj.
Ashtu siç gëzohemi dhe inkurajohemi nga golat dhe asistimet e Pandev, Elmazit, Bardhit, Alioskit, Ademit dhe futbollistëve të tjerë të kombëtares sonë, duhet të inkurajohemi edhe kur lojtarët politikë tregojnë rezultate më të mira në terrenin e vetëqeverisjes lokale.