Pothuajse gjysma (49.6%) e të rinjve nuk janë përfshirë asnjëherë në ndonjë organizatë apo klub, duke përmendur si arsye detyrimet e tyre ekzistuese në shkollë apo në punë. Dy të tretat e të rinjve në rajonin e Pollogut nuk kanë punuar kurrë individualisht ose në grup për të zgjidhur ndonjë problem në komunën e tyre. Nëse do të kishin mundësi të largoheshin, 76.3 përqind e të rinjve thanë se do të largoheshin nga vendi, transmeton Portalb.mk.
Këto janë pjesë e gjetjeve kryesore nga hulumtimi “Nevojat e të rinjve në nivel lokal”, i realizuar në rajonin planor të Pollogut, nga Shoqata qytetare “Të rinjtë munden”, me mbështetjen e Komisionit Evropian, gjatë muajit gusht dhe shtator të këtij viti.
Mbi 21 përqind e të anketuarve kanë thënë se problemi më i madh në komunën e tyre është ekonomia e dobët dhe papunësia.
“Praktikat e themelimit, mosekzistenca e organeve përfaqësuese, njohja e ulët e të rinjve me përfaqësuesit flasin për përjashtimin e të rinjve nga proceset e tilla dhe arsyet që çojnë në mosnjohje dhe apati”, thotë Nikica Manxhukovski, koordinator i programit në Shoqatën e qytetarëve “Të rinjtë munden”.
“Megjithatë, të rinjtë si grup vazhdimisht përballen me sfida të shumta, të ndërthurura mes mosaktivitetit të komunitetit, mungesës së përgjegjësisë personale dhe tensioneve etnike. Pikërisht kjo na nxiti të marrim të dhëna specifike për përfshirjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe pjesëmarrjen e tyre në flukset sociale në nivel lokal”, shton ai.
Sipas hulumtimit, është evidente se të rinjtë nga rajoni i Pollogut janë të interesuar për temën e vullnetarizmit, ndërsa sektori më tërheqës për vullnetarizëm është sektori qytetar.
Shumica e të rinjve thanë se mendojnë se nuk janë fare të përfshirë në marrjen e vendimeve në komunitetin e tyre lokal. Pothuajse 55 përqind nuk janë të vetëdijshëm nëse ekziston një ligj për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore.
Për sa i përket vlerësimit të shëndetit dhe mirëqenies së tyre, 56.1 përqind kanë dhënë notën më të lartë prej 5 për shëndetin e tyre.
Qëllimi i hulumtimit është të identifikojë nevojat dhe sfidat që kanë të rinjtë në rajonin e Pollogut. Rezultatet e marra nga hulumtimi, pra nevojat dhe sfidat e identifikuara, sipas “Të rinjtë munden”, do të mundësojnë zgjidhjen e sfidave rinore në nivel lokal, forcimin e kapaciteteve të të rinjve për përfshirje në proceset vendimmarrëse, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve lokale, shkollave dhe aktorëve të tjerë që janë të rëndësishëm për të rinjtë.
Shoqata e qytetarëve “Të rinjtë munden” e kryen këtë hulumtim që nga viti 2021 dhe deri më tani është realizuar në gjithsej tetë komuna. Këtë vit, për herë të parë, sondazhi mbulon një rajon të tërë planifikues.
Publikimet e plota kërkimore janë në dispozicion në këto linqe – në maqedonisht dhe shqip.
Kujtojmë se në një anketë të Portalb.mk për largimin e të rinjve nga Maqedonia e Veriut realizuar në gusht, rezultoi se nga 134 që u përgjigjën, 22 të rinj thanë se tashmë ishin larguar nga vendi, nga 112 të tjerët të cilët ishin ende në RMV 67 mendojnë të largohen nga këtu. Arsyet e largimit janë të ndryshme, por si kryesore përmendin korrupsionin, politizimin, nepotizmin, shëndetësinë, rrogat dhe standardin e ulët dhe të tjera. Shifrat e largimit të rinisë janë shqetësuese në nivel shtetëror.