Shkruan: Justinian Topulli
Ky raport shqyrton konceptin e Shtetit Bektashi, një ide e ngritur kohët e fundit nga Kryeministri i Shqipërisë dhe e mbështetur nga drejtuesi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Mondi. Raporti përfshin një përshkrim të shkurtër mbi bektashizmin, lidhjen e tij me historinë e shtetit shqiptar dhe një analizë të synimeve të këtij projekti, duke u bazuar në burime relevante. Qëllimi është të sqarohen synimet dhe implikimet e një nisme të tillë në një kontekst lokal dhe ndërkombëtar.
Çfarë janë bektashinjtë?
Bektashinjtë vetëidentifikohen si një tarikat sufi shiitë imami.1 Fillimet e këtij tarikati lidhen ngushtë me një personazh pak të njohur të shekullit të XIII i quajtur Haxhi Bektash Veliu, i lindur në Horasan, por që pjesën më të madhe të aktivitetit të tij misionar fetar e ka zhvilluar në Anadoll. Tarikati që ai themeloi duket se është ndikuar qartazi nga besimet sufiste dhe traditat besimore të Anadollit të asaj kohe, duke u përzier me kalimin e kohës me ndikime të qarta shiite, batiniste dhe hurufiste.
Tarikati bektashi identifikohet nga perëndimorët si një tarikat sufi islam liberal, që nuk i kushton rëndësi disa nga obligimeve islame siç është falja e pesë namazeve ditore dhe ndalimit të pijeve dehëse, krahas kësaj shumë prej besimeve dhe praktikave të tyre lidhen me legjenda dhe praktika idhujtare lokale të epokës para islame si dhe ato shiite.
Bektashizmi ka qenë i përhapur me shumicë në radhët e ushtrisë osmane, në veçanti te djemtë e familjeve të krishtera që mobilizoheshin në ushtrinë osmane sipas sistemit osman të Devshirmes, duke krijuar kështu një mjedis hibrid tolerant të ndërmjetëm besimor mes islamit sunit të shtetit osman dhe besimit të krishterë të origjinës së këtyre individëve. Pikërisht për shkak të kësaj natyre hibride bektashizmi ka qenë objekt studimi nga shumë studiues perëndimor, dhe është parë prej tyre jo vetëm si një sekt ekzotik për t’u njohur e studiuar, por edhe për t’u përdorur si model për një “islam liberal” siç e quajnë ata.
Bektashimi është përhapur në Ballkan dhe në trojet shqiptare bashkë me përhapjen e Islamit në këto troje, ai gjendet me shumicë në Jugun e Shqipërisë, por edhe në zona të tjera.
Bektashizmi në Shqipëri është i organizuar përmes teqeve të shumta që ka, të cilat lidhen me gjyshata lokale, të cilat më pas lidhen me kryegjyshatën që ndodhet në Tiranë. Pas ndalimit të ushtrimit të aktivitetit të bektashizmit të Republikën Turke, duke qenë se kryegjyshi i asaj kohe ishte shqiptar, Sali Njazi Dede, dhe në 1929 pas një kongresi bektashian u vendos që kryegjyshata e Shqipërisë të ishte botërore, e cila u njoh si e tillë nga shteti Shqiptar në 1930. Dhe këtë status ata ia njohin vetes edhe sot kësaj dite edhe pse kryegjyshi zgjidhet vetëm nga shqiptarët dhe njihet vetëm prej tyre.
Shteti shqiptar dhe bektashinjtë
Marrëdhëniet e bektashinjve me nacionalizmin shqiptar, sidomos në fundin e shekullit XIX e në vazhdim, janë ndikuar shumë nga politika armiqësore që shteti osman pati me bektashinjtë në këtë periudhë dhe më pas me ardhjen në pushtet të Mustafa Qemalit, i cili suprimoi aktivitetin e tyre dhe të tjerëve duke mbyllur teqetë e tyre.
Bektashinjtë dhe teqetë e tyre kanë qenë vatra të rëndësishme dhe streha të përhapjes së nacionalizmit shqiptar, kjo krahas karakterit të tij hibrid doktrinar, ka ndikuar që mjaft politikanë të asaj kohe, por edhe më pas ta shohin bektashizmin si një besim apo fe të mundshme për mbarë shqiptarët, për të mbështetur nacionalizmin e ri shqiptar të përballet me nacionalizmat ortodoks të grekëve, serbëve, bullgarëve etj., të cilët po shkëputeshin nga Dovleti Osman për të formuar shtetet e tyre nacionale, por edhe si element fetar kundërvënës ndaj shtetit osman, i cili i përkiste islamit sunit. Për këtë arsye ka pasur përpjekje edhe pas viteve 90’ që bektashizmin ta shpallnin si një fe “shqiptare” më vete. Këtë e favorizonte edhe fakti se Kryegjyshata e Shqipërisë e njeh veten si botërore. Mirëpo të gjitha përpjekjet që janë bërë në këtë drejtim kanë dështuar, sepse identiteti i të qenit musliman, ka qenë i fort te dervishët bektashi, por edhe te popullsia vendase, dhe ndarja nga pjesa tjetër e muslimanëve si një fe më vete nuk është mirëpritur. Përveç kësaj numri i atyre që identifikohen si musliman bektashi është shumë më i vogël sesa i atyre që identifikohen si sunij mes shqiptarëve.
Gjendja aktuale e bektashinjve në Shqipëri
Në Shqipëri bektashinjtë në regjistrimet zyrtare të përkatësisë fetare nuk regjistroheshin më vete, por bashkë me muslimanët e tjerë. Ndërkohë për herë të parë në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011, ku u përfshi edhe pyetja për përkatësinë fetare u identifikuan si bektashi 58628 persona, ose 2,09% të popullsisë së regjistruar, ndërsa si muslimanë 1587608 persona ose 56,7% të popullsisë së regjistruar, e cila figuronte gjithsej në 2821977. Ndërsa në regjistrimin e 2023 bektashinjtë figuronin 115644, ose 4,81% të popullsisë së regjistruar, nga ku muslimanë figuronin 1101718, ose 45,86% të një popullsie prej 2402113 banorë në rang vendi. Pra ka një rritje të dukshme të shifrave të atyre që identifikohen si bektashi edhe pse ka një zvogëlim të dukshëm të popullsisë, ku të gjitha përkatësitë fetare kanë ulje, në veçanti muslimanët më së shumti.
Pyetja që lind në këtë rast është se cila është arsyeja e gati dyfishimit të numrit të atyre që identifikohen si bektashi, a është identifikimi si bektashi i atyre që dikur identifikoheshin thjesht si muslimanë, apo regjistrimi dhe deklarimi i të dhënave ka probleme? Nëse do të ishte e para, kjo do të thotë se në radhën e atyre që e identifikojnë veten si muslimanë dhe bektashinj ka një rizgjim të këtij identiteti kaq masiv sa sjellë këtë rezultat, ndërkohë nuk ka asnjë shenjë në terren që ta provojë këtë “zgjim identitar”të identifikimit si bektashi dhe jo si muslimanë gjatë gjithë këtyre viteve. Kështu që me shumë gjasa ngelet mundësia e dytë, se shifrat janë të manipuluara.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të faqes zyrtare të Kryegjyshatës ka gjashtë gjyshata, të cilat kanë nën administrim gjithsej 129 teqe, aktuale.
Bektashinjtë në Shqipëri krahas kremtimit të dy bajrameve kremtojnë Nevruzin, të cilin e konsiderojnë si ditëlindjen e Aliut, përkujtojnë gjithashtu Ditën e Ashures, si ditë e sakrifikimit të Husejnit, si dhe gjatë muajit gusht kryejnë rituale pelegrinazhi në malin e Tomorit, ku ata besojnë se gjendet gjurma apo varri i Abas Aliut. Përgjithësisht dervishët e tyre nuk njihen si falës të rregullt të pesë namazeve apo namazit të xhumasë, edhe pse ata prezantojnë në faljen e bajramit nëpër sheshe. Një pjesë e tyre konsumojnë edhe pije alkoolike, siç është vetë kreu i bektashinjve Edmon Brahimaj (i njohur si Baba Mondi), sepse nuk e konsiderojnë atë si të ndaluar fetarisht. Po ashtu ka prej tyre që nuk agjërojnë as muajin e Ramazanit, edhe pse kryegjyshi shtron vazhdimisht iftare dhe thonë se agjërojnë në këtë muaj.
Teqet dhe dervishët bektashianë nuk kanë ndonjë aktivitet predikimi fetar, përveçse shërbejnë shpesh si vende ku njerëzit shkojnë për mbarësi, pasi besojnë se këto janë vende të shenjta. Numri i dervishëve dhe gjyshërve bektashinj është relativisht i vogël rreth njëzet, dhe shumica e tyre janë në moshë të madhe.
Ideja e një shteti bektashi nga të dhënat që janë publikuar deri më sot
Në 21 shtator të këtij viti (2024) gazeta e njohur amerikane The New York Times boton një shkrim në faqen kryesore të saj, për nismën për krijimin e një shteti sovran bekashti brenda territorit të Shqipërisë, duke i dhënë kryegjyshatës dhe territorit të saj prej rreth 11 hektarësh statusin e një shteti sovran të ngjashëm me Vatikanin.
Në këtë artikull thuhet se shteti bektashi do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit ku do të lejohet alkooli dhe gratë të veshin çfarë të duan dhe të mos vendosin rregulla të stilit të jetesës. “Zoti nuk ndalon asgjë; prandaj na dha mendjen”, tha kleriku Edmond Brahimaj. Sipas gazetës që citon Kryeministrin shqiptar Edi Rama, ky shtet do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi. Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria. “Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë,” tha ai. Një mikroshtet i moderuar islamik, tha kryeministri, do të dërgonte një mesazh: “Mos lejoni që stigma e muslimanëve të përcaktojë se cilët janë muslimanët”. Në artikull thuhet se “Një ekip ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë, po hartojnë legjislacionin që përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë.”
Baba Mondi, nga ana e tij, e shpalli planin e shtetësisë “një mrekulli” dhe shprehu shpresën se Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore do ta njohin sovranitetin e shtetit të tij nëse Parlamenti miraton planin e kryeministrit. “Ne meritojmë një shtet,” tha ai, “Ne jemi të vetmit në botë që themi të vërtetën për Islamin” dhe “mos e ngatërroni atë me politikën”.
Zoti Rama pranoi se krijimi i një shteti sovran islamik në Tiranë do të kërkonte kohë. “Ndoshta të gjithë do të thonë: “Ky djalë është i çmendur”, tha ai. Por, ai shtoi: “Këtë e kanë thënë shumë herë më parë. Nuk më intereson. Gjëja e rëndësishme, e çmendur apo jo, është të luftosh për mirë.”
Ky lajm bëri bujë të madhe në Shqipëri dhe u prit me habi dhe refuzim, pasi asnjëherë më parë nuk ishte dëgjuar apo kërkuar nga vete bektashinjtë diçka e tillë. Ndërkohë selia zyrtare e bektashinjve shuan çdo dyshim në këtë drejtim duke e miratuar zyrtarisht këtë propozim.4 Për ta kjo nismë “do të sjellë një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes. Ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisës – i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe të përfshirjes shpirtërore.”
“Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative. Kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën. Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave.”
“Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore. Ai gjithashtu do të krijojë një platformë që Urdhri të përhapë mesazhin e tij të paqes dhe tolerancës në mënyrë më efektive, duke shërbyer si një zë global për Islamin e moderuar. Sovraniteti i Urdhrit Bektashi është një hap i rëndësishëm në forcimin e vlerave të përfshirjes, harmonisë fetare dhe dialogut në një botë gjithnjë e më të ndarë.”
Në datën 22 shtator Kryeministri i Shqipërisë e bën publike këtë nismë nga foltorja e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, i cili duke e mbyllur fjalimin e tij tha: “Shqipëria po kështu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Tereza, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin. Na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë e ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë!”
Kryeministri shqiptar në deklarimet e tij publike dhe në intervista e ka përligjur këtë nismë me tre arsye, së pari për të ruajtur dhe mbështetur këtë tarikat të rrallë dhe të veçantë si nga përmbajtja e tij, por edhe për kontributin që ka dhënë për formimin e shtetit shqiptar, që të mos zhduket me kalimin e kohës, për shkak se duke qenë një komunitet i veçantë, nuk ka mbështetje nga asnjë bashkësi fetare e madhe siç kanë muslimanët, katolikët apo ortodoksët. Së dyti, ky status juridik i veçantë do të krijonte tërheqje dhe joshje për turistët e huaj, çfarë do t’i garantonte vendit më shumë të ardhura, duke pasur kështu një arsye më shumë për ta vizituar Shqipërinë. Dhe së treti, duke qenë se bektashinjtë janë kontribues të tolerancës fetare mes shqiptarëve dhe përfaqësojnë një model tolerant të Islamit, ata do të shërbejnë si model dhe promovues të kësaj tolerance edhe në vendet e tjera të botës.
Ndërkohë që Baba Mondi që nga dalja e këtij lajmi ka refuzuar të jap intervista për mediat dhe gazetarët vendas, disa media ndërkombëtare i kanë bërë jehonë këtij lajmi, duke nxjerrë detaje të reja rreth propozimit për shtetin bektashi. Kështu “The Jerusalem Post” të tërheq vëmendjen me fjalët e shkruesit të artikullit i cili thotë ndër të tjera:
“Baba Mondi më befasoi me një pyetje: “Do të pish kafe apo raki?” Meqë hezitova të zgjidhja alkoolin në prani të një udhëheqësi fetar mysliman, ai më inkurajoi të provoja rakinë vendase, që ishte shumë e shijshme. U dorëzova. Bektashinjtë me të vërtetë përfaqësojnë një lloj tjetër islami – mendjehapur dhe tolerantë.” Po në këtë intervistë Baba Mondi shprehet se e njeh Izraelin dhe e konsideron veten vëlla të popullit të Izraelit. Dhe se e ka vizituar Izraelin duke u takuar me miqtë që ai ka atje, të cilët e kanë befasuar me mikpritjen e tyre.
Ndërkohë një tjetër media ndërkombëtare, kësaj here afrikane9 nxjerrë detaje të reja rreth shtetit të mundshëm bektashi. Aty thuhet se sovraniteti i shtetit bektashian do të ofrojë shpresë kundër ekstremizmit (myslimanë) për Afrikën. Gazeta në fjalë citon Baba Mondin të ketë thënë: “Ne jetojmë në kohë kur ekstremizmi dhe përçarja rriten, të ushqyer nga ata që përdorin besimin si armë. Urdhri Bektashi qëndron si një zë i unitetit, paqes dhe qëndrueshmërisë, cilësi që edhe Afrika i vlerëson thellësisht në betejat e saj kundër ndarjes”. Artikulli pasi vë në dukje pasojat e rritjes së dhunës nga grupe ekstremiste islame thotë se “Këto shifra befasuese nxjerrin në pah një nevojë urgjente për modele të qeverisjes së moderuar islame, siç është shteti i propozuar bektashi.” Media në fjalë citon edhe një gazetar të njohur shqiptar, mjaft i afërm me kreun e bektashinjve i cili thotë: “Ferdinand Samarxhit, një gazetar që mbulon fetë botërore në Shqipëri, sovraniteti i Urdhrit Bektashi është “një lëvizje e rëndësishme gjeopolitike me pasoja të mundshme në të gjithë komunitetin shiit”.
Ai shpjegon më tej se “në kontrast me ndikimin e politizuar shiit të Iranit përmes grupeve si Hezbollahu, Urdhri Bektashi përfaqëson një formë thjesht shpirtërore të islamit shiit që thekson gjithëpërfshirjen dhe moderimin. Ai jo vetëm që dobëson monopolin e Iranit mbi ndikimin shiit, por gjithashtu ofron një model se si zërat e moderuar shiitë mund të fitojnë autonomi”.
Gazeta në fjalë citon gjithashtu në kushte anonimati, një zyrtar të shërbimeve inteligjente nigeriane të ketë thënë se “Mbështetja e Shqipërisë për një shtet të pavarur bektashi ofron një kundërmodel unik ndaj ekstremizmit”, dhe “shtoi se “natyra shpirtërore e Urdhrit Bektashi, i cili fokusohet në moderimin dhe gjithëpërfshirjen, mund të shërbejë si një alternativë efektive ndaj ndikimit në rritje të grupet radikale. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kombet afrikane, ku fraksionet ekstremiste shfrytëzojnë dobësitë socio-ekonomike për të rekrutuar”.
Gazeta gjithashtu citon Baba Mondin të ketë thënë: “Forca e Afrikës qëndron në diversitetin dhe trashëgiminë e saj të bashkëjetesës. Me këtë sovranitet, Urdhri Bektashi është i gatshëm të angazhohet, të ndajë një mesazh paqeje që rezonon thellë me vlerat afrikane të unitetit dhe qëndrueshmërisë”.
Gazeta citon gjithashtu Romeo Kara, një avokat dhe komentator politik, i cili thekson përfitimet e mundshme të modelit bektashian për kombet afrikane, veçanërisht ato që luftojnë me radikalizimin: “Në Sahel dhe Afrikën Lindore, rajone të prekura thellësisht nga ekstremizmi, mesazhi i moderimit të Urdhrit Bektashi ofron një alternativë kritike. Duke ofruar një rrugë shpirtërore gjithëpërfshirëse brenda Islamit, shteti bektashi mund të ndihmojë liderët afrikanë të kundërshtojnë rekrutimin ekstremist duke adresuar nevojat shpirtërore të popullatave të tyre pa sakrifikuar diversitetin kulturor”.
Gazeta thotë gjithashtu se “për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e këtij misioni, Robert Ferguson, një ish-agjent i Shërbimit Sekret të SHBA me përvojë të gjerë në mbrojtjen e presidentëve dhe figurave të profilit të lartë të SHBA-së, është emëruar për të udhëhequr kuadrin e sigurisë për shtetin bektashian. Qasja e Fergusonit, e frymëzuar nga Korpusi i Xhandarmërisë së qytetit të Vatikanit, do të fokusohet jo vetëm në sigurimin e kufijve fizikë, por edhe në krijimin e një mjedisi të sigurt për lulëzimin e misionit të paqes të Urdhrit Bektashi. Kjo iniciativë sfidon monopolin politik dhe fetar që Irani mban mbi komunitetin global shiit, duke forcuar një alternativë të moderuar shiite, duke e pozicionuar Urdhrin Bektashi si kundërvënie ndaj ndikimit të Iranit, i cili është shtrirë prej kohësh përmes grupeve si Hezbollahu. “Ideologjitë ekstremiste shpesh lulëzojnë aty ku ka paqëndrueshmëri dhe cenueshmëri, dhe shteti bektashi ofron një model paqësor, gjithëpërfshirës për të kundërshtuar këto ndikime në thelbin e tyre”, tha Ferguson. Ai theksoi ndikimin strategjik që mund të ketë Urdhri Bektashi, jo vetëm si një zë moderimi brenda Islamit, por si një forcë për bashkim midis kombeve që merren me ndikimin e grupeve radikale.” “Urdhri Bektashi paraqet një alternativë ndaj ndikimit të politizuar shiit të Iranit, duke promovuar një vizion shpirtëror të lirë nga axhendat gjeopolitike,” vuri në dukje Ferguson, duke vënë në dukje se ndikimi i Iranit ka ardhur shpesh përmes grupeve që mbjellin ndarje.”
“Prioriteti ynë nuk është vetëm sigurimi i kufijve fizikë, por sigurimi që misioni shpirtëror i Urdhrit Bektashi të lulëzojë në një mjedis të sigurt dhe të pavarur”, tha Ferguson. Kjo qasje gjithëpërfshirëse e sigurisë do të ndihmojë në ruajtjen e ndikimit të rendit si një model paqësor i islamit shiit, duke përfituar rajone nga Evropa në Afrikë dhe duke frymëzuar iniciativa të ngjashme me fokus paqen.”Artikulli gjithashtu thotë se shteti bektashi do të ketë një bankë humanitare që “do t’i kushtohet financimit të projekteve në Shqipëri dhe në të gjithë botën në zhvillim, përfshirë Afrikën, me fokus në rajonet e prekura nga varfëria, konflikti dhe paqëndrueshmëria. Si pjesë thelbësore e Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi, BBB parashikohet si një forcë qendrore për ndryshim, duke ofruar burime aty ku nevojiten më shumë.” “Qasja jonë me Bankën Bektashiane të Dashamirësisë i ka rrënjët në qëndrueshmëri,” shpjegoi Nik Grezda, këshilltar financiar i nismës për sovranitetin. “Ne nuk po ofrojmë vetëm fonde; ne po nxisim pavarësinë dhe stabilitetin ekonomik në të gjithë komunitetet. Potenciali i Afrikës është i jashtëzakonshëm dhe duke investuar te njerëzit e saj, ne ndihmojmë në kultivimin e qëndrueshmërisë së qëndrueshme”, shton ai.”
Këto janë disa nga informacionet më të rëndësishme të publikuara deri tani për këtë çështje.
Analizë paraprake mbi synimet e këtij projekti
Janë dhënë opinione të ndryshme nga njerëz publikë lidhur me këtë nismë, duke mos besuar në atë që deklarohet publikisht nga kryeministri. Disa mendojnë se shteti bektashi do të përdoret si një parajsë fiskale për pastrim parash, të tjerë hedhin idenë se një nismë e tillë krijon precedent të rrezikshëm kombëtare duke nxitur që edhe Kisha Ortodokse Serbe të kërkojë të njëjtin status në Kosovë dhe minoriteti grek në Shqipëri.
Nisur nga burime konfidenciale kemi të dhëna se projektideja e një nisme të tillë ka vite që zhvillohet brenda qarqeve të ngushta me kryeministrin. Ajo që nuk dimë është nëse një projekt i tillë është nismë e vetë kryeministrit shqiptar apo i është kërkuar atij nga aktorë të huaj ndërkombëtarë, pasi është më se e sigurt edhe nga informacioni që kemi se nuk është kërkuar nga vetë bektashinjtë dhe kryegjyshata.
Aktorët e mundshëm të këtij projekti vetëm mund të hamendësohen. Një ide e hedhur në këtë drejtim është ajo e interesit të shtetit izraelit, nisur nga një afrim i paprecedent i izraelitëve me kryegjyshatën bektashiane, duke organizuar disa iftare të përbashkëta mes tyre. Po ashtu vizita nga rabinë izraelitë, përfaqësues politikë izraelitë, gazetarë izraelitë dhe një dekorim që i është bërë kreut të bektashinjve nga Kongresi Amerikan e Hebrenjve, si dhe njerëz të tjerë. Ajo që bëri shumë përshtypje qe së fundi edhe ardhja e presidentit aktual të Izraelit në Shqipëri, në kulmin e masakrave izraelite në Gaza, i cili u bojkotua nga përfaqësuesit e katolikëve, ortodoksëve dhe protestantëve, por ndërkohë u prit vetëm nga kreu i bektashinjve dhe nënkryetari i Komunitetit Musliman!
Përveç Izraelit interes për këtë nismë mund të kenë edhe aktorë të tjerë të huaj politikë, të cilët deri tani nuk dihen edhe pse kryeministri ka deklaruar se nuk është konsultuar me partnerë të rëndësishëm të Shqipërisë si SHBA.
Ndërkohë në kushtet e kësaj paqartësie dhe në dritën e të dhënave publike të deri tanishme ne dyshojmë se ky projekt lidhet drejtpërsëdrejti me projektin e “Building Moderate Muslim Networks” që qendra studimore RAND17 ka ofruar si model sjellje strategjike për administratat amerikane dhe ato perëndimore vite më parë, në betejën ndaj islamit radikal e të dhunshëm, siç e identifikojnë ata. Sipas klasifikimit të tyre bektashinjtë kategorizohen tek sufitë liberalë që promovojnë një islam tepër tolerant dhe mund të shërbejnë si një model antidot ndaj islamit radikal dhe ekstremist që eksportojnë vendet arabe të Lindjes së Mesme.
Pavarësisht se nisma mund të ketë si qëllim kryesor vende të tjera muslimane, gjeografikisht larg Lindjes së Mesme, ajo është e dëmshme edhe për muslimanët shqiptarë sepse ndikon në uljen fiktive të numrit të tyre si dhe nxit konflikte dhe pakënaqësi mes tyre. Veç kësaj duke njohur realitetin e dobësisë së Kryegjyshatës, ajo mund të kthehet në një qendër të agjenturave të ndryshme ndërkombëtare, mbi të cilat shteti shqiptar nuk do të ketë asnjë njohuri dhe mbikëqyrje.