Ministri i Ekologjisë, Muhamet Hoxha, së bashku me Kryeministrin Hristijan Mickoski, kanë marrë pjesë sot në Manastir në prezantimin e sistemit modern rajonal për menaxhimin e mbeturinave dhe vendosjen e infrastrukturës kyçe, projekt që pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2026.
Në kuadër të këtij projekti, po realizohet një investim prej rreth 11 milionë euro në pajisje për selektimin dhe transportin e mbeturinave, nga i cili do të përfitojnë mbi 400 mijë qytetarë nga 18 komuna të Rajonit të Pellagonisë dhe Rajonit Jugperëndimor.
Sistemi parashikon funksionimin e qendrës rajonale për menaxhimin e mbeturinave në Novac, si dhe ndërtimin e stacioneve të transferimit në Prilep, Ohër, Kërçovë dhe Dibër.
Ndërkohë, janë në zhvillim edhe procedurat për ndërtimin e deponive rajonale në Pollog – Rusino, në Pellagoni, si dhe në rajonin Verior dhe Veri-Lindor, me fillimin e punimeve të planifikuar gjatë vitit 2026.
Sipas ministrit Hoxha, ky proces po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me partnerë ndërkombëtarë dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale, me synimin për të ndërtuar një sistem modern, të qëndrueshëm dhe plotësisht të harmonizuar me standardet evropiane për menaxhimin e mbeturinave.








