Gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm në Lisiçe të Poshtme, në lokacionin e quajtur “Kupishta”, është kapur një kamion që po hidhte në mënyrë të paligjshme mbeturina ndërtimore, në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e mbeturinave, informojnë nga Komuna e Aerodromit.
Nga inspektorati komunal është lëshuar urdhër gjobë për kundërvajtje ndaj personit juridik, në përputhje me nenin 130 të ligjit. Për shkeljen është shqiptuar gjobë prej 20.000 eurosh në kundërvlerë në denarë, theksojnë nga komuna.
Nga atje nënvizojnë se do të vazhdojnë me kontrolle të shtuara inspektuese dhe se nuk do të lejojnë shkatërrimin e mjedisit jetësor, ndotjen dhe krijimin e deponive ilegale në territorin e komunës.
U bëjnë apel të gjithë qytetarëve dhe kompanive që të menaxhojnë me përgjegjësi mbeturinat dhe të respektojnë dispozitat ligjore.
Për çdo sjellje të papërgjegjshme do të pasojnë sanksione, thonë nga pushteti lokal.

