Kreu i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Besim Hoda, në emisionin “Studio e Hapur”, ka thënë se BDI nga një lëvizje nacionaliste shqiptare, edhe pse ishe realisht vasale e VMRO-së, tash për një kohë të shkurtër është kthyer në një lëvizje qytetare, ku përsëri sheh se kanë qëllime për përfitime personale.
“Mos të mashtrohemi dhe të themi se kjo është një lojë e re, absolitisht jo. Ne që moti e kemi detektuar këtë formë veprimi që e ka pasur edhe VMRO-ja, mirëpo ajo e ka bërë nëpërmjet tre struktura tjera, që kanë kontrolluar EVN-në, Telekomin dhe Rrugët e Maqedonisë. Nëpërmjet tyre, duke angazhuar ushtarët e UÇK-së, apo figura tjera shqiptare, duke i punësuar direkt, nëpërmjet tyre depërtonin te popullata shqiptare duke falur borxhe apo duke bërë favore tjera në mënyrë të fshehtë. Ata e orientonin votën shqiptare, qoftë drejt kampit të PDSH-së apo të BDI-së. Këtë praktikë e ka marrë në mënyrë më publike, duke e gjetur terrenin e hapur Zaev, i cili po sharron mbi të gjithë hapësirën shqiptare”, tha Hoda.
Hoda uron që zgjedhjet të kalojnë pa probleme, të ketë krijim të dy blloqve, njëri ky që po bëhet nga LSDM dhe BDI drejt një shteti qytetar, i udhëhequr nga Zaevi dhe jo në bashkëqeverisje, si dhe kampi tjetër ku shqiptarët do të jenë në gjendje të krijojnë politikat e veta kombëtare, që të ulen dhe pastaj të ndërtojnë një shtet të përbashkët, i cili pastaj mund të jetë edhe qytetar.

