
Alsat 2019-09-30T14:26:50+02:00
As spitalet e as barnatoret më nuk do të vërshohen nga turmat e njerëzve në fillim të muajit, pasi që nga e marta hiqen kuotat e barnave në të gjithë Maqedoninë e Veriut. Kjo do të thotë se ilaçet në listën pozitive do të mund të gjenden në farmaci gjatë gjithë muajit. Sipas kompetentëve, pacientët tani e tutje ilaçet do mund t’i marrin vetëm përmes sistemit elektronik që do të vendoset nëpër të gjithë barnatoret, për çka pacientët do të jenë të obliguar që me vete të kenë letërnjoftime.
Qytetarët sipas nevojave të tyre shëndetësore, do mund të marrin ilaçe nga cila do barnatore çdo ditë dhe në çdo kohë, pa dallim nëse është fillimi apo fundi i muajit. Qytetarët më nuk do të kenë nevojë që të mbajnë rezerva të ilaçeve nëpër shtëpitë e tyre sepse që tani do të mund të marrin ilaçe atëherë kur ju nevojiten – tha Den Donçev, Drejtor i Fondit Shëndetësor.
Nga fondi thonë se të drejtë për marrjen e ilaçeve do të kenë edhe familjarët apo të afërmit e pacientëve që janë të palëvizshëm. Sipas Fondit edhe personat me afat të skaduar të letërnjoftimit do të mund të marrin ilaçe, por me kusht që me vete të kenë ndonjë dokument tjetër identifikimi, me qëllim që të shmanget ndonjë keqpërdorim i mundshëm.
Fëmijët dhe personat që nuk janë në gjendje të marrin barna fizikisht, do të mundet t’i marrin të afërmit e tyre. Do të eliminohen radhët e pritjeve nëpër ordinancat e mjekëve dhe nëpër barnatore, që zakonisht bëhet gjatë ditëve të para të muajit shkaku i përshkrimit të recetave – deklaroi Orhan Ramadani, Drejtor i Fondit Shëndetësor.
Ministri i Shëndetësisë tha se kjo është vetëm një nga proceset reformuese të shëndetësisë në vend.
Kjo është vetëm një pjesë nga reformat që të rrisim qasjen dhe cilësinë e shërbimeve mjekësore te ne, gjithandej në shtet – u shpreh Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Ditë më parë Kryetarja e Odës së Farmacistëve të Maqedonisë së Veriut, e vlerësoi si të palogjikshme njoftimin e Fondit Shëndetësor që tërheqja e ilaçeve nga farmacitë të bëhet vetëm përmes letërnjoftimit dhe pasaportës, si mekanizëm kontrollues i keqpërdorimit të barërave.
Besian Leka
Loading…




