Enis F. BAFTIJARI
Fshati Llokë kërkon të largohet nga Komuna e Sarajit dhe dëshiron t’i bashkangjitet Komunës së Karposhit! (Shenja.mk)
Një lajm që të le pa fjalë, por edhe më keq që ta pamundëson gjykimin objektiv dhe të kthjellët për banorët e këtij vendi, të cilët si shqiptarë etnik të cilët pas shumë dekadave luftime për të drejtat kombëtare më në fund kanë aritur që me shumë mund dhe sakrificë ta realizojnë ndarjen e re teritoriale dhe decentralizimin e pushtetit nga niveli qendror në atë lokal. Por tani kur e gjithë kjo është realizuar dhe për gjendjen e vendbanimeve të shqiptarëve nuk është më fajtore elita politike maqedonase, sepse mirë apo keq tani më një dekadë në nivel lokal qeverisemi nga funkcionarë shqiptarë.
Shumë kush ndoshta me një gjykim të shpejtë dhe emocional porsa ta lexojë këtë lajm do t’ju vërsulet dhe t’i akuzojë banorët e fshatit në fjalë dhe t’i etiketojë si “tradhtarë”, “të shitur”, etj. Mirëpo realisht nëse e vështrojmë këtë fenomen më racionalisht duke u vendosur në lëkurën e banorëve të fshatit Llokë, të cilët nuk i kanë kushtet elementare për funksionim normal do të shohim se ata nuk kanë asnjë faj. Atyre u është imponuar kjo gjendje fatale dhe pa perspektivë për të ardhmen e fshatit të tyre nga vetë Komuna amë shqiptare. Mund ta paramendojmë se çfarë zhgënjimi kanë përjetuar ato banorë nga partitë shqiptare të cilat qeverisin me Komunën e Sarajit, në një situatë kur pas shumë dekadave janë aritur këto të drejta me sakrificë popullore dhe tani ato përdhosen nga vetë shqiptarët.
Për të mbijetuar fshati atyre nuk u nevojitet vetëm valëvitja e flamurit kombëtar, por në fund të fundit njeriu si një qenie biologjike para se të ketë nevojë për flamurin ka nevojë së pari për të mbijetuar fizikisht, sepse pa i mbuluar nevojat elementare për jetë me dinjitet ata nuk mund as ta ndjejnë kënaqësinë e flamurit kombëtarë. Patriotizmi i vërtetë për dallim nga populizmi është që qytetarit t’ia sigurosh rrugët, shkollat, sigurinë, barazinë sociale, kushtet për zhvillim të lirshëm të biznesit, etj., e që pastaj si kulminacion e gjithë kjo të kurorëzohet me flamurin kombëtar i cili do të valëvitej me krenari të plotë.
Hipokrizia e madhe qëndron në faktin se shqiptarët janë në këtë gjendje të mjerueshme sa që pas këtij zhgënjimi të madh nga partitë shqiptare është futur një skepticizëm i thellë deri në atë masë sa shpëtimin e shohin te pala tjetër. Turp për politikanët shqiptar të cilët 14 vite pas luftës nuk aritën që aspak ta ndryshojnë gjendjen ekonomike dhe sociale të shqiptarëve, kjo është një dështim i madh dhe i pafalshëm dhe për këtë duhet të kërkohet llogari!