19 September
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) hodhi shortin për renditjen e partive nëpër fletëvotime në zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Partitë politike do të mbajnë numrat nga 1 deri në 19 ndërkaq kandidatët e pavarur nga numri 20 deri në 82. LSDM në zgjedhjet lokale do të garojë me numrin 19, VMRO-DPMNE-ja me numrin 7, BDI do të mbajë numrin 3 në fletëvotim, Aleanca për shqiptarët numrin 9, Lëvizja BESA numrin 14, PDSH 15, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët (Uniteti dhe RDK) numrin 2, Partia për Prosperitet Demokratik e 17-ta. Në Gazi Babë koalicioni I udhëhequr nga BESA do të mbajë numrin 5, ndërkaq në komunën e Manastirit dhe të Ohrit koalicioni I udhëhequr nga BDI do të ketë numrin 4.
Nga renditja e partive për zgjedhjet lokale mbetet e pazgjidhur dalja në zgjedhje e dy subjekteve politike me të njëjtin emër “Aleanca për Shqiptarët”. Nga KSHZ-ja sqarojnë se nuk janë kompetentë për të marrë një vendim mbi këtë çështje dhe zgjidhja duhet të kërkohet nga partitë, përmes padisë në Gjykatën Administrative. Nga “Aleanca për Shqiptarët” e Ziadin Selës thonë se do të ndërmarrin të gjitha masat juridike për zgjidhjen e problemit.
Do të ndërmarrim të gjitha masat juridike që do t’i kemi në dispozicion, duke filluar nga KSHZ-ja, gjykata përkatëse ku jemi regjistruar si parti si dhe Gjykata Administrative -njoftojnë nga Partia Aleanca për Shqiptarët.
Nga emri nuk heq dorë as Koalicioni Aleanca për Shqiptarët RDK dhe Uniteti. Ky koalicion ka deklaruar se marrëveshja për zgjedhjet parlamentare, vlen edhe për zgjedhjet lokale. Dy subjektet kanë edhe logo dhe ngjyra të njëjta. Fushata zgjedhore fillon më 25 shtator në mesnatë dhe do të përfundojë më 13 tetor, ndërkaq zgjedhjet lokale do të mbahen më 15 tetor. Raundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar për më 29 tetor.
Vjollca Aliti

