NGA ERL MURATI
Ndërsa Tirana po jeton ditët e saj më të pazakonta politike të viteve të fundit, një fenomen tjetër po bie në sy po aq sa vetë protestat. Është heshtja e Partisë Socialiste.
Kanë kaluar 10 ditë nga protestat masive që kanë mbushur rrugët e kryeqytetit. Pamjet kanë bërë xhiron e rrjetit, debati është zhvendosur në çdo tavolinë shqiptare dhe interesi ka kaluar kufijtë e vendit. Flasin qytetarët, flasin analistët, flasin mediat ndërkombëtare. Ndonjëherë flet edhe kryeministri, por në partinë e tij mbizotëron një qetësi e pazakontë.
Përveç Ramës, i cili i ka komentuar protestat në disa dalje dhe takime me strukturat socialiste, zërat e tjerë të rëndësishëm të Partisë Socialiste mungojnë në mënyrë të dukshme në debatin publik. As pro protestës, as kundër saj. As për ta analizuar, as për ta sfiduar.
Në të kaluarën Partia Socialiste nuk ka qenë një forcë politike e heshtur. Për dekada me radhë, brenda saj kanë ekzistuar zëra të ndryshëm, qëndrime të forta dhe shpesh edhe përplasje të hapura politike. Sot, megjithatë, duket sikur debati i brendshëm është kthyer në heshtje. A kemi të bëjmë me disiplinë politike apo me frikë politike?
A ka deputetë, ministra apo figura të rëndësishme që mendojnë ndryshe nga linja zyrtare, por nuk e artikulojnë publikisht? A ka mes tyre njerëz që e shohin këtë protestë si sinjal alarmi për qeverinë, por zgjedhin të mos e thonë për të ruajtur pozicionin e tyre?
Figura si Ditmir Bushati, i njohur për qasje më analitike dhe reflektuese brenda së majtës, sipas shumë pritshmërive publike do të kishin qenë të pranishëm në debat në momente të tilla. Jo domosdoshmërisht për të mbajtur anë, por për të ndihmuar në artikulimin e një reflektimi politik më të gjerë mbi zhvillimet.
Edhe Elisa Spiropali, e cila muajt e fundit është shfaqur si një zë kritik i qeverisjes, në këtë rast nuk ka qenë e qartë dhe drejtpërdrejtë.
Gjithashtu, “senatorët” e PS që pranuan dekorata gjatë ditëve të fundit kanë zgjedhur të mos prononcohen.
A nuk është detyrë e intelektualit të mbajë qëndrime me dobi publike?!
Në një parti të madhe, ku komunikimi publik ka peshë të veçantë, mungesa e zërave të tillë krijon një boshllëk që vërehet lehtë.
Nga ana tjetër, kujtesa politike nuk është e shkurtër. Në vitet e opozitës dhe në fazat e para të karrierës politike të Ramës, PS nuk ishte një hapësirë e heshtur. Përkundrazi, përplasjet e brendshme shpesh merrnin formë publike, me tone të forta.
Një nga episodet më të famshme mbetet debati mes Edi Ramës dhe Fatos Nanos, ku edhe detajet personale hynin në gjuhën politike.
Ish-kryetari antikonformist i bashkisë e akuzonte Nanon për qeverisje korruptive, vizion të vjetër dhe mungesë reformash.
Nga ana tjetër, ish-kryetari i bashkisë e sulmonte Ramën si njeri të lidhur me krimin, mason i pasuruar, aventurier, etj.
Përkundër këtij modeli, pse socialistët e sotëm duken kaq të përmbajtur? Pse një pjesë e tyre nuk marrin shembull nga ai stil i dikurshëm i debatit të hapur brenda së majtës?
Ndoshta disa heshtin nga bindja, ose servilizmi.
Të tjerë nga llogaritë personale. Disa mund të kenë interesa politike, dosje, apo karriera për të mbrojtur. Mund të jetë edhe strategji komunikimi. Por perceptimi publik është se frika për të dalë jashtë vijës së liderit, është bërë më e fortë se nevoja për debat.
Në këto kushte ka dy lexime. Ose një parti e unifikuar rreth qëndrimeve të kryetarit, ose një parti ku debati ekziston, por nuk del më në sipërfaqe.
Në të dy rastet, mungesa e zërit publik brenda forcës që qeveris vendin mbetet një sinjal domethënës, që flet më shumë se vetë heshtja.


