Gjatë vizitës në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se Bashkimi Europian ka nisur heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës si “shenjë përkushtimi” e bllokut.
“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka filluar të heqë gradualisht masat e prezantuara në qershor 2023. Ky vendim hap rrugën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe gjithashtu për lidhje më të ngushta me Europën. Mendoj se është e rëndësishme të kuptohet se në të njëjtën kohë nuk shohim përshkallëzim në veri. Pse po e them këtë? [Sepse] unë personalisht i kam bindur shtetet anëtare se ne duhet të lëvizim [në raport] me masat për Kosovën, por disa thonë se Kosova duhet të respektojë Marrëveshjen e Ohrit. Dhe përshkallëzimi në veri po bie ndesh me këtë. Prandaj, kjo është lufta në të cilën jemi. Pra, së pari, ne jemi gati të bëjmë hapat në anën tonë, por me të vërtetë duhet të shohim de-përshkallëzimin në veri”, tha Kallas.
E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, masat ndëshkuese ndaj Kosovës ishin të padrejta qysh nga fillimi.
“Gjithmonë kur kthehemi në ngjarjet e katër viteve të fundit, ndjehemi të zemruar dhe të dëshpëruar e deri diku të zhgënjyer për mbështetjen e aktorëve ndërkombëtarë ndaj akteve të qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe të sovranitetit në veri të Kosovës. Edhe vendosja e atyre masave, që disa i quajnë sanksione, për Kosovën nga ana e Brukselit ishin pjesë e planit të BE-së, sidomos të disa vendeve të saj, si Franca, për t’i bërë presion qeverisë Kurti 2 me qëllim që ky i fundit ta pranonte sovranitetin serb në veri të Mitrovicës”, thotë Bytyçi.
Siç thotë Bytyçi, presidentja Vjosa Osmani është ajo e cila e ka ngritur vazhdimisht çështjen e masave ndëshkuese te aktorët ndërkombëtarë, duke bërë thirrje që të hiqen ato.
“Interesant është fakti se Franca, më saktë KFOR-i francez, vendosi barrikadat dhe ndarjen e Kosovës te Ura e Ibrit. Dhe në fund sërishmi ishte presidenti francez ai që përdori veton e tij për vendosjen dhe më mosheqjen e atyre masave ndëshkuese, kryesisht financiare. Fatkeqësisht, edhe pse kjo është e njohur, opozita e Kosovës e përdori politikisht këtë fakt për ta denigruar dhe akuzuar qeverinë e zotit Kurti. Tani jemi në fazën kur flitet për mundësinë e heqjes graduale të këtyre masave. Sërishmi ka të bëjë me përpjekjet e Komisionit Europian që ta bindë presidentin Emmanuel Macron për të dhënë konsensusin e tij për këtë çështje. Sepse Macronin mund ta flakërasë Brixhiti, por nuk mundet ta qortojë Ursula von der Leyen, as Kaja Kallas. Presidentja e Republikës, zonja Vjosa Osmani, ka ngritur fort zërin kundër këtyre masave. Madje më shumë sesa i akuzuari nga opozita, Albin Kurti. Sa për opozitën, ata vazhdojnë t’i gëzohen masave shtrënguese të Brukselit, gati njësoj si edhe Beogradi dhe Lista Serbe. Ashtu si edhe Edi Rama në Tiranë”, nënvizon Bytyçi.
“Meqë ra fjala, a ka dëgjuar dikush që Edi Rama kur i mbledh këta europianët në Tiranë, të ketë kërkuar heqjen e këtyre masave?! Sigurisht që jo. Ai nuk mund të bëjë kërkesa që shkojnë në dëm të Beogradit dhe sidomos kundër dëshirave të mikut të tij më të mirë, presidentit të Francës. Edi Rama, i cili u ka kërkuar liderëve të vendeve anëtare të NATO-s të mirëkuptojnë Aleksandër Vuçiq për lidhjet e tij me presidentin rus, Vladimir Putin, nuk ka thënë kurrë se “Kosova duhet të bëhet anëtare e NATO-s”. As nuk ka kërkuar zyrtarisht që asaj t’i hiqen masat që Brukseli dhe Parisi ia vendosën në vitin 2023. Madje asokohe politikisht ishte i pari kryeministri i Shqipërisë që vendosi masën e anulimit të mbledhjes së përbashkët të qeverive të të dy vendeve në Gjakovë”, shton profesor Bytyçi.
Më tej, ai thotë se heqja e masave është një akt simbolik, por shumë minor në krahasim me vendimin e pesë vendeve anëtare të BE-së për njohjen e Republikës së Kosovës.
“Tani po flitet për heqjen e masave, në vend të flitej për marrjen e statusit kandidat dhe marrjen e vendimit për të çelur negociatat për anëtarësim. Është akt minor në krahasim gjithashtu me zhvendosjen e qëndrimeve të Francës, e cila vazhdimisht bllokon, bllokon, bllokon dhe madje u bën presion edhe Brukselit e Berlinit për ta ashpërsuar qëndrimin ndaj Republikës së Kosovës. Heqja e masave ishte dhe mbetet në fakt parathënia e bllokadës për integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian. Dhe nga ana tjetër, autoritetet e BE-së çdo ditë flasin për axhendën 2030 të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Jam i bindur se kjo axhendë është shpikur si një mashtrim i radhës nga ana e disa autoriteteve në BE, me qëllim që ta mbajë Ballkanin Perëndimor larg konfliktit. Ndoshta edhe për ta joshur Serbinë për të ndërruar kursin e saj drejt Brukselit. Sepse dihet që në Beograd janë shumë xhelozë, p.sh., nëse e shohin Shqipërinë në dyert e Bashkimit Europian. Por edhe Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën e sidomos Kosovën. Në fakt, nëse BE do të donte ta afronte Serbinë, duhej e duhet të hapë menjëherë e në mënyrë të përshpejtuar negociatat me Kosovën. Por në vend të kësaj, Brukseli i vendos masa shtrënguese Kosovës. A nuk dinë, a nuk duan, ec e merre vesh. Dhe nuk merret vesh, sepse BE-ja është një rrëmujë politike dhe amalgamë pikëpamjesh, qëndrimesh politike dhe idesh! Çfarë thotë Macroni, nuk thotë Merkel! Çfarë thotë Orbani, nuk thotë Ursula!”, shpjegon Bytyçi.
Por a do të hiqen këto masa pjesë-pjesë?
“Sinqerisht nuk e di në sa pjesë qenkan ndarë këto masa shtrënguese. Krijohet përshtypja sikur bëhet fjalë për sanksione të përmasave si ato kundër Rusisë, të cilat kategorizohen në shumë fusha e plane. Jo. Kosova ka vetëm një masë shtrënguese financiare. Ajo masë nuk është pjesë, është një e tërë dhe ose hiqet, ose nuk hiqet. Të paktën nuk duhet të na marrin për aq budallenj. Nëse të gjithë politikanët e Kosovës do flisnin me gjuhën e Vjosa Osmanit, heqja e masave shtrënguese do të ishte harruar. Por edhe elita politike në Kosovë nuk dihet të flasë aq për këto masa, sa për integrimin, marrjen e statusit kandidat dhe hapjen e negociatave për pranim. Këtë duhet ta bëjnë si mazhoranca edhe opozita!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.