Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të nisë sot konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Takimi konsultativ është paralajmëruar të mbahet në orën 15:00.
Një ditë më parë, ajo ka zhvilluar takim me kryetarin e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi.
Pas takimit, Radoniqi deklaroi se data 7 qershor konsiderohet më e favorshme për organizimin e procesit zgjedhor.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar që zgjedhjet mund të mbahen më 31 maj ose 7 qershor.
“Për mendimin tonë është 7 qershori, por i mbetet presidentes të vendosë”, tha Radoniqi.
Ai shtoi se data përfundimtare do të caktohet më vonë, duke theksuar nevojën që KQZ të ketë sa më shumë kohë për përgatitje. Sipas tij, buxheti për zgjedhjet pritet të jetë i përafërt me atë të zgjedhjeve të kaluara.


