Ramush Haradinaj nga AAK, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e studentëve shqiptarë që do të mbahet në Prishtinë në mbrojtje të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj theksoi se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe është e garantuar me Kushtetutë dhe nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga askush.
Sipas tij, çdo përpjekje për të kufizuar apo cenuar përdorimin e gjuhës shqipe përbën shkelje serioze të të drejtave themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“E drejta themelore për përdorimin e gjuhës shqipe, e garantuar me Kushtetutë, është e pacenueshme dhe nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga askush. Çdo përpjekje për ta cenuar atë përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore”, ka deklaruar Haradinaj.
Lideri i AAK-së ka shprehur gjithashtu solidaritet me studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar kërkesat e tyre si të drejta dhe legjitime.
“Jemi krah studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime”, ka theksuar ai.
Protesta në mbrojtje të gjuhës shqipe pritet të mbahet nesër në Prishtinë, ku studentë dhe qytetarë do të shprehin kundërshtimin ndaj, siç vlerësohet, cenimit të të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

