Ja motër, në errësirë jemi, që një javë nuk kemi rrymë.
“Janë duke bërë shaka me ne, shkurt e shqip. A ua ka vështirësuar punën? Shumë, që një javë është prishur mishi, frigoriferët nuk punojnë. Me EVN-në a keni folur? Kemi fol, biles nuk dëgjojnë, nuk vijnë, nuk ka sigurim në Haraçinë dhe thonë nuk vijmë. Kemi nijet të organizojmë protestë dhe të bllokojmë autostradën, ose duhet të shkojmë përpara EVN-së dhe t’i bllokojmë që mos të punojnë as ata sikurse ne”
Edhe një qytetar tjetër i cili pohon se rregullisht paguan faturat, i tregoi hallet dhe pasojat që u ka sjellë mungesa e rrymës.
“Unë jam në rrugën 11, nga e mërkura nuk kemi. Nga e mërkura për dy ditë, kemi patur vetëm një linjë, dy kanë qenë të ndërprera, një e lëshuar, ndërsa që 3 netë nuk kemi fare. Hidrofori nuk punon, frigoriferët janë shkri krejt, çka kemi pas janë prish krejt“
Biseduam edhe me kryetarin e Komunës, Ridvan Ibrahimin. Ai apelon te organet kompetente që ta zgjidhin problemin. Thotë se ka kërkuar shpjegim nga EVN, por ende nuk i kanë kthyer përgjigje.
“Kompania e EVN-së të tregojë gatishmëri edhe për Haraçinën, le të bën punën e vet siç e ka të rregulluar me ligj, sepse qytetarët e Haraçinës, të gjithë ata njerëz që paguajnë vazhdimisht fatura, është e papranueshme që edhe një ditë të vetme të ngelin pa rrymë elektrike”, theksoi Ridvan Ibrahimi, kryetar i Haraçinës.
Për problemin me mungesën e energjisë elektrike nga kompania EVN thonë se fajet i kanë banorët e Haraçinës, sepse shfrytëzojnë rrymën në mënyrë ilegale dhe pastaj ka shumë defekte, e kur ndërhyjnë ekipet e EVN-së ata sulmohen.
“Në fshatin Haraçinë, vendasit ua ndalojnë qasjen ekipeve të Elektrodistribuimit dhe i pengojnë gjatë kryerjes së aktiviteteve teknike të përditshme si dhe sanim të defekteve.
Për shkak të shfrytëzimit të vazhdueshëm ilegal të energjisë elektrike nga ana e banorëve, mbingarkohen trafostacionet dhe shkaktohen defekte të mëdha. Përderisa nuk ka kushte për punë dhe funksionim normal për shkak të arsyeve të lartpërmendura, nuk do të ketë mundësi për sanim të defekteve”, thonë nga EVN Elektrodistribuimi.
Një pjesë e ish objektit të komunës së Haraçinës është djegur. Banorët thonë se nga revolta dikush i ka vënë flakët, sepse aty më parë ka qenë zyra e EVN-së e cila ka shërbyer për të paguar energjinë elektrike.
Ndryshe përveç rrymës banorët po përballen edhe me mungesën e ujit për shkak se atje banorët përdorin hidroforë në mungesë të ujësjellësit.