Komisari për fqinjësi dhe zgjerim, Johanes Han, pas takimit të realizuar sot me kryeparlamentarin e ri, Talat Xhaferi, ka përsëritur se BE dënon fuqishëm sulmin ndaj deputetëve dhe gazetarëve në Kuvend javën e kaluar., njofton SHENJA.
Nëpërmjet një komunikate, Han ka thënë se përsëritja e sulmit të tillë vë seriozisht në rrezik perspektivën evropiane të vendit.
“Komisari ka mirëpritur zgjedhjen e z. Xhaferi nga shumica e deputetëve dhe ka shprehur gatishmërinë e BE-së të punoj me të për të avancuar agjendën e reformave të BE-së, përfshirë implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos dhe Reformat Urgjente Prioritare. Kuvendi duhet të lejohet të punoj pa pengesa. Gjithë deputetët, përfshirë edhe opozitën, pritet që të luajnë më tepër rol konstruktiv se sa obstruktiv dhe të gjithë aktorët duhet të përmbahen nga qëndrimet dhe veprat provokuese”, qëndron mes tjerash në komunikatë. /SHENJA/

