Komisari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn ka deklaruar në Poznan të Polonisë se qëndron në rekomandimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hahn ka çelur Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen në Forumin për Biznesin dhe Shoqërinë Civile, duke vendosur theksin te progresi që kanë arritur dy shtetet ballkanike.
JOHANES HAN, EUROKOMESAR PËR ZGJERIM
“Unë i qëndroj rekomandimit të Komisionit për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe mbështetem te Këshilli, që në tetor të ndjekë vlerësimin tonë pozitiv. Të dyja vendet kanë realizuar reformat, në veçanti në fushat e përmendura në konkluzionet e Këshillit në qershor të 2018”.
Johannes Hahn ka kërkuar që shtetet rajonale të ndjekin shembullin e Maqedonisë së Veriut në zgjidhjen e krizave dhe ka kërkuar gjetjen e një zgjidhje për taksën e vendosur nga Kosova për Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën.
Ndërkohë, në qytetin polak të Poznanit, po vazhdon sot dita e dytë e Samitit të Gjashtë të Ballkanit Perëndimor në kuadrin e Procesit të Berlinit, me takimet e ministrave të ekonomisë, punëve të jashtme dhe të brendshme të vendeve pjesëmarrëse, si dhe me panele të shumta. Fokusi i takimeve është bashkëpunimi rajonal, lidhja dhe rritja e ekonomisë në rajon. Ngjarja qendrore e samitit, një takim i krerëve të shteteve ose qeverive të vendeve pjesëmarrëse do të mbahet nesër. Përveç Maqedonisë së Veriut, në Samit marrin pjesë edhe Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina, Gjermania, Franca, Italia, Austria, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Bullgaria, Britania dhe Polonia. Procesi i Berlinit është një nismë diplomatike e nisur në 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel, për zgjerimin e Bashkimit Evropian me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
https://www.youtube.com/watch?v=zJTOv2DVR74