Shumë entuziazëm dhe optimizëm për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian u vërejt gjatë vizitës së sotme të eurokomisarit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Han. Eurokomisari vlerësoi përmirësimin e klimës dhe shtimin e dinamikës për realizimin e reformave të domosdoshme për procesin integrues. Por përveç vlerësimeve, Han erdhi edhe me porosi të qarta se çfarë duhet bërë në periudhën në vazhdim.
“Pas të gjitha ngjarjeve në këtë vend, më vjen mirë që mund të shoh një dinamikë të re të orientuar drejt një jete më të mirë për të gjithë qytetarët. Mesazhi im për të gjithë sot është që të përqendrohemi në detyrat që vijojnë. Shteti dhe të gjithë aktorët relevantë si opozita, gjyqësori, mediat dhe elementet e tjera të shoqërisë, duhet të punojnë në krijimin e një shteti modern dhe funksional. Duhet fokusuar me punë në interes të të gjithë qytetarëve dhe të gjitha komuniteteve”, deklaroi eurokomisari Johanes Han.
Kryeministri Zoran Zaev nga ana tjetër përcaktoi qëllimin e Qeverisë së tij në periudhën e ardhshme; raport pozitiv dhe rekomandim pa kushte.
“Jam i bindur se pjesëmarrja e komisarit Han në seancat e Qeverisë së Maqedonisë dërgon sinjal të fuqishëm deri te të gjithë në Maqedoni, se perspektivat evropiane të Maqedonisë nuk janë më ëndërr e largët, por realitet i kapshëm. Qëllimi ynë është që Komisioni Evropian të japë vlerësim pozitiv për Maqedoninë në Raportin për progresin e shtetit këtë vjeshtë, si dhe të propozojë rekomandim të pastër dhe të pakushtëzuar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Zoran Zaev.
Sikurse komisari Han, edhe kryeministri Zaev bëri thirrje që të bashkohen të gjitha forcat politike por edhe shoqërore, me qëllim që të shtyhen përpara reformat që i kërkon Bashkimi Evropian.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Han: Duhet të punoni në krijimin e një shteti… by tvshenjaofficial

