Eurokomsari Johanes Han në intervistën e publikuar në ueb faqen e Komisionit Evropian tha se zgjidhja e krizës qëndron te respektimi i parimeve dhe standardeve demokratike që janë të shkruara në Kushtetutën e vendit, gjegjësisht, kur ka shumicë për formimin e qeverisë, ajo duhet të respektohet pavarësisht se nga cilat parti politike formohet. Në lidhje me hapin e djeshëm të Ivanovit, Han u shpreh se ai duhet të jetë në Maqedoni për të marrë vendime për tejkalimin e situatës politike.
“Ai dje ishte jashtë shtetit për vizitë shtetërore. Unë e respektoj zyrën e kryetarit të një vendi demokratik dhe këtë nuk dua ta komentoj. Por mendoj se në një kohë të këtillë, është shumë e rëndësishme që ai të jetë brenda në vend, veçanërisht kur roli i kryetarit është vendimtar dhe të gjithë presin që ai të ketë rol proaktiv për të kontribuuar në zgjidhjen paqësore të krizës”, tha Han.
Han dhe tre europarlamentarët dje porositën se qeveria duhet të formohet sa më parë në mënyrë që vendi të kthehet në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Edhe ambasadorja gjermane Kristine Althauzer sot deklaroi se politikanët duhet ta bëjnë punën e tyre.
Profesori universitar Stojan Sllaveski thotë se BE me rastin e Maqedonisë një kohë të gjatë ka dëshmuar durim por se kohët e fundit ajo gjithnjë e më hapur flet se vendi po e anashkalon agjendën evropiane. Sllaveski thotë se është e mundshme që Unioni t’i sanksionojë politikanët të cilët nuk kontribuojnë në zgjidhjen e krizës politike.
“Është më vështirë që në nivel evropian të arrihet konsensus për marrjen e masave kundër palëve të treta, gjegjësisht kundër Maqedonisë. Por në plan dypalësh, me siguri që ata do t’i izolojnë politikanët të cilët nuk kontribuojnë në zgjidhjen e krizës”, tha Sllaveski.
Sipas Sllaveskit, retorika e Ivanovit ndaj diplomatëve evropianë është dëshmi për raportin injorues të tij ndaj Evropës.