Xhabir Hamiti, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame, i ka dal në krah imamit të shkarkuar në Vitomiricë të Pejës, hoxhë Drilon Gashi.
Ai Ka thënë se ish-imami Gashi mund të ketë bërë ndonjë gabim në shtjellime, por ka thënë se më mirë dhe më shumë dobi do të kishte, sikur me të të debatohej brenda institucioneve të BIKut, sesa të largohej, veprim ky të cilin e bëri BIK’u disa ditë më parë.
“Personalisht do të përkrahi çdonjërin i cili në mendimet dhe qëndrimet e tij interpretuese fetare është vetvetja, me fjalë tjera i cili është autokton dhe nuk është peng i ideologjive të jashtme me agjenda politiko-fetare, të cilat në vendin tonë si dhe në gjithë trojet shqiptare u mbështeten dendësisht dhe masivishtë pas luftës”, ka thënë ai.
“Mr. Driloni mund të ketë gabime në qëndrime dhe shtjellime, siç edhe mund të ketë çdo njëri nga ne, mirëpo hipotezat e mamit Drilon, ja po e zëmë edhe të gabuara, megjithatë, në asnjë mënyrë ato nuk i orientojnë dhe nuk i çojnë të rinjtë dhe të rejat tona në drejtim isisian dhe atë kamikaz. Tani, kush kë në vendin tonë e ka marr më shumë në qafë !? Drilon Gashi apo Drilonat tjerë!”, ka shtuar ai më tej.
Hamiti ka thënë se “në mësimet objektive islame, vetëm teksti i Kuranit dhe thënia në origjinë e Muhammedit a.s. është e padiskutueshme, kurse çdo literaturë, mendim, apo interpretim tjetër, i prodhuar dhe i shkruar përgjatë historisë islame mbi Kuranin apo Pejgamberin, nuk mund të sanksionohet me asnjë normë; as fetare e as njerëzore që t’i nënshtrohet diskutimit, analizës dhe kundërargumentimit”.
“Unë besoj se më mirë dhe më shumë dobi do të kishte, sikur me Drilonin të debatonim e diskutonim brenda institucioneve te BIK, sesa ta largonim atë jashtë tyre”, ka thënë ai.



