Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Johannes Hahn, sot në Beograd tha se krijimi i një zone të vetme ekonomike në Ballkanin Perëndimor është ide fantastike, e cila shpreh nevojën për bashkëpunim rajonal, raporton AA.
Ai tha se rajoni ka nevojë që të ecë “një hap më tej në integrimin evropian”, dhe se krijimi i një tregu të vetëm në të cilin do të merrnin pjesë vendet e dikurshme të ish-Jugosllavisë, si dhe Shqipëria dhe Kosova, paraqet përgatitje të rajonit për BE. Hahn tha se 20 milion njerëz është një treg shumë tërheqës për investime, që mund të krijojë vlera shtesë për mallra dhe shërbime, më shumë vende pune dhe më shumë investime.
“Sot, rajoni është i fragmentuar dhe më pak tërheqës për investime. Nëse themelohet një treg i vetëm, rajoni do të jetë më tërheqës dhe kjo do të thotë më shumë vende pune, rezistencë më e madhe ndaj sfidave”, tha Hahn në konferencën për mediat, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ai gjithashtu tha se rajoni ka një numër mundësish që duhet të shfrytëzohen, por se perspektiva evropiane nuk ka alternativë dhe se sipas hulumtimeve, qytetarët e rajonit kanë nevojën dhe interes për të qenë pjesë e BE-së.
“Qytetarët e zakonshëm duan të shohin prosperitet, paqe dhe stabilitet, dhe kjo mund të arrihet vetëm në BE. Politikani i mençur duhet të kuptojë se cilat janë interesat e qytetarëve”, tha Hahn, duke shtuar se Serbia ka përparuar shumë dhe se shpreson që së shpejti do të hapin edhe dy kapituj tjerë të negociatave për anëtarësim në BE.
Ai vlerësoi se Serbia ka rolin kyç në rajon, sepse është vendi më i madh, dhe se për këtë arsye mban përgjegjësi të madhe.
I pyetur në lidhje me “Planin Marshall” të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Hahn ka thënë se ky plan tregon “përkushtimin e shteteve anëtare, posaçërisht të Gjermanisë për investime dhe angazhim të mëtejshëm në rajon”, dhe jo shkëmbim për anëtarësim në BE.
Vuçiç ka thënë se krijimi i një zone të vetme ekonomike në Ballkan është i nevojshëm që të ketë më shumë investitorë në rajon. “Ne të gjithë jemi të vegjël në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nëse arrijmë që të formojmë një treg të vetëm, kjo do të thotë më shumë investitorë për të gjithë ne në rajon. Atëherë mendoj se ne do të mund të marrim më shumë nga se kemi sot”, tha Vuçiç, duke shtuar se do të kërkoj nga liderët e rajonit të shqyrtojnë këtë ide, edhe pse është i sigurtë se do të ketë skeptikë si në çdo ide të re.
Ai falënderoi Hahn për rekomandimin për hapjen e kapitujve, por edhe për mbështetjen për arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, për të cilat tha se janë thelbësore për përparimin ekonomik të Serbisë.
“Problem paraqesin deklaratat e shpeshta dhe të papërgjegjshme, të cilat shpesh janë dhe kërcënuese, por ne duhet të përpiqemi që t’iu përgjigjemi me ton të qetë. Qëllimi ynë është që të kemi rritje ekonomike dhe jo sedrën tonë të tregojmë në atë mënyrë se jemi më të mëdhenjtë dhe më të fortë nga dikush”, ka thënë Vuçiç.
I pyetur për “deklaratat kërcënuese” nga ana e politikanëve kosovarë, Han tha se nuk dëshiron t’i komentojë, sepse ato janë pjesë e fushatës zgjedhore në Kosovë, ndërsa Vuçiç tha se ai nuk mendon kështu, por ai është i shqetësuar.