Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott nënshkroi një ligj të ri për mbrojtjen e fëmijëve në internet, duke vendosur rregulla të reja të ashpra për verifikimin e moshës në dyqanet e aplikacioneve si Apple App Store dhe Google Play.
Ligji kërkon që platformat digjitale të verifikojnë moshën e çdo përdoruesi në Teksas dhe të marrin miratimin e prindërve përpara se një i mitur të shkarkojë aplikacione apo të bëjë blerje brenda tyre.
Masa synon të mbrojë të miturit nga përmbajtjet e papërshtatshme dhe praktikat e dëmshme online, por ka ngjallur shqetësime serioze për privatësinë. Apple dhe Google e kundërshtuan legjislacionin, shkruan Tch.
“Ka mënyra më të mira për të mbrojtur fëmijët pa detyruar miliona përdorues të ndajnë të dhënat e tyre personale,” tha një zëdhënës i Apple, duke paralajmëruar se ligji mund të kërcënojë privatësinë e përdoruesve të rritur dhe të mitur njësoj.
Google nuk komentoi menjëherë.
Sipas burimeve të Wall Street Journal, drejtori ekzekutiv i Apple, Tim Cook, thuhet se ka telefonuar personalisht Guvernatorin Abbott në përpjekje për të ndalur ligjin, por pa sukses.
Ligji hyn në fuqi më 1 janar 2026 dhe e vendos Teksasin përkrah Utahut – një tjetër shtet konservator që ka miratuar masa të ngjashme këtë vit.