Të premten pritet mbërritja e grupit të parë të shtetasve afgan për të cilët vendi ynë ofroi strehim vullnetarisht. Për transportimin e tyre do të kujdesen SHBA-të dhe organizatat ndërkombëtare tek të cilat këto persona kanë qenë të angazhuar. Sot flitet për 50 shtetas afganë më shumë, për dallim nga një ditë më parë, në total 450. Së pari në vend do të mbërrijnë shtetasit afganë për të cilët Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë verifikimet e nevojshme. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, i cili është pjesë e trupit koordinues në Qeveri, tha për Alsat se shtetasit afganë tek ne do të qëndrojnë përkohësisht, por se për sa kohë konkretisht bëhet fjalë, nuk e di askush.
– Advertisements –
Kryesisht vendimi është që të jenë staf lokal i organizatave ndërkombëtare që gjenden në Kabul. Këta janë aktivistë për të drejtat e njeriut, gazetarë, studentë, fëmijë dhe familjarë të të punësuarve në ushtrinë amerikane ose në organizatat e tjera ndërkombëtare. Ata do të qëndrojnë këtu përkohësisht, deri sa të rregullojnë dokumentacionin për destinacionin e tyre final, kryesisht Shtete e Bashkuara të Amerikës. 04:46 Është çështje javësh për shkak se aplikimi për viza është deri në 60 ditë, mirëpo se si do të procesohen më pas dokumentacionet për destinacionin e tyre final nuk mund të them.
Institucionet shtojnë se do të bëhet edhe integrimi shoqëror i këtyre personave për sa kohë që do të qëndrojnë në vendin tonë. Akomodimi i tyre do të bëhet nëpër disa hotele në vend.
Janë diku 6 ose 7 hotele me të cilët është arritur marrëveshje, dhe kjo marrëveshje është arritur nga organizatat ndërkombëtare ku kanë qenë të angazhuar, që do të thotë se edhe shpenzimet për ta do t’i mbulojnë këto organizata ndërkombëtare por në qoftë se ka nevojë, edhe shteti këtu do të ndihmojë, për shkak se ne me vullnet të plotë kemi vendos që t’i ndihmojnë këto civilë.”
Nuk hidhet poshtë mundësia numri i shtetasve afganë që do të strehohen përkohësisht në Maqedoni të rritet në ditët në vazhdim, varësisht kërkesave që do të vinë nga organizatat ndërkombëtare. Nga Komiteti i Helsinkit apeluan deri tek politikanët që të mos përdorin krizën afgane për qëllime të caktuara politike dhe të mos nxisin ndjenja ksenofobe tek qytetarët, tani që vendi është në prag të zgjedhjeve lokale.
Përgatiti: Evi Shkopi