Ish shefi i DSK-së Goran Grujevski dhe kolegu i tij Nikolla Boshkovski sot në orën 9:30 duhet të jenë në seancën në Gjykatën Supreme në Athinë, ku do të vendoset rreth ankesës së tyre për vendimin për ekstradim të Gjykatës së Selanikut, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Athina.
Dëgjimi i Grujevskit dhe Boshkovskit para Komitetit për azil në Selanik dje u shty. Ata para Komitetit duhej t’i paraqesin arsyet pse kërkojnë azil në Greqi.
Paraprakisht dëgjimi i tyre i parë në Komitet ishte shtyrë sepse ka pasur problem me sigurimin e përkthyesit në gjuhën maqedonase.
Vendimet në Athinë vijnë pas ankesave të tyre pasi Gjykata Themelore në Selanik vendosi që ata duhet të ekstradohen në vend.
Sipas disa vlerësimeve vendore, të dy të arratisurit do të duhet të ekstradohen muajin e ardhshëm, për kur në Gjykatën Penale janë caktuar seancat për “Target – Fortesa dhe Trezor.
Grujevski dhe Boshkovski kërkesë për azil politik në Greqi kanë parashtruar më 29 nëntor të vitit të kaluar.
Me kërkesën e parashtruar për azil politik, ndërkaq, u hap proces i ri paralel dhe plotësues. Grujevski dhe Boshkovski, në Greqi, tashmë kanë tre procese të ndryshme dhe reciprokisht të palidhura, I pari për ekstradim pas fletarrestit të lëshuar ndërkombëtar nga ana e Maqedonisë, i dyti për falsifikim të pasaportave ku u kapën në aeroportin e Selanikut dhe i treti rreth kërkesës për azil.

