VMRO DPMNE-ja ka promovouar kandidatët për kryetarë komunash para akademisë së tyre politike “Pavel Shatev” e cila punon në bashkëpunim me organizatën gjermane Konrad Adenauer. Në fjalimin e tij para kandidatëve, kryetari i partisë, Nikolla Gruevski, u lavdërua me punën e kryetarëve të deritanishëm të komunave nga radhët e VMRO DPMNE-së, duke nënvizuar projektet kapitale të realizuara nga ana e tyre. Ai porositi gjithashtu edhe kandidatët e rinj, por edhe ata që garojnë për mandat të sërishëm, të punojnë për interesin e qytetarëve. Gruevski foli edhe për kundërshtarët politik nga LSDM. Sipas tij ata nuk kanë zgjidhje për problemet e qytetarëve, përveç premtimeve megalomane që sipas tij nuk do t’i realizojnë. Sipas Gruevskit, këto zgjedhje janë edhe udhëkryq se kah do të shkojë shteti.
Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE-së
“Kundërshtarët tanë do të premtojnë çudira dhe zgjidhje magjike, deri më tani atë e kemi parë në shumë paraqitje të tyre. Ata nuk kanë fjalë të tjera dhe ata nuk kanë fytyrë të qëndrojnë në fjalë dhe atë e kanë treguar në të kaluarën shumë herë. Ndërsa, tre muajt e fundit tridhjetë herë e kanë ndryshuar fjalën, e kanë shkelur atë që e kanë thënë, janë përgënjeshtruar. Kur në nivel nacional kanë premtuar por nuk kanë realizuar, ajo do të pasqyrohet edhe në nivel lokal. Populli është i mençur dhe din të dalloj çfarë është reale, çfarë është e realizueshme dhe çfarë nuk është”.

