Gjykata e Apelit dje konfuirmoi dënimin me burg prej dy viteve të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, por akoma i dënuari për veprimtari kriminale nuk ka përfunduar në burgun e Idrizovës ose të Shutkës.
Njohësit e çështjeve juridike japin versione të ndryshe se përfundimisht kur Gruevski do të përfundojë prapa grilave, përcjellë INA.
Avokati Aleksandar Tortevski thotë se për 20 ditë i akuzuari do të marrë ftesën për fillimin e kryerjes së burgut, dhe pas kësaj ai mund të ankohet. Këto ditë do të jenë procedurale, pasi që Apeli do ta njoftojë Gjykatën Penale, e cila më pas ka afat prej 8 ditëve që Gruevski t’ia dërgojë vendimin për vuajtjen e dënimit. Por një mundësi është avokatët e Gruevskit të kërkojnë shqyrtimin e dënimit para Gjykatës Supreme, por edhe këtu nuk mund të merret shumë kohë.
Për ish kryeministrin në lojë mbeten disa opsione. Të kërkojë anulimin e dënimit me burg me arsye të theksuar saktësisht ose të kërkojë që Gjykata Supreme në krye me Jovo Vangellovskin, kumbar i Trajko Veljanovskit i cili ishte bashkëpunëtor shumëvjeçar i Gruevskit, ta rishqyrtojë aktvendimin e plotfuqishëm. Megjithatë, ankesa eventuale pranë gjykatës më të lart nuk mund të ketë shkak që të prolongohet vuajtja e dënimit me burg, përveç nëse ka probleme serioze shëndetësore, vdekje ose sëmundje të rëndë në familjen më të ngushtë, si dhe nëse është e nevojshme të ruajë fëmijë apo persona të plogësht.
Sipas avokatit Tortevski, nëse nuk ka ndonjë zhvillime të jashtëzakonshme, Gruevski veçmë brenda periudhës disaditore do të fillojë të vuaj dënimin. Ai në një intervistë për Al Jazeera ka thënë se ka kaluar koha e mosdënimit të funksionarëve në Maqedoni.
Gjykata e Apelit dje hodhi poshtë ankesën e ish kryeministrit dhe e konfirmoi vendimin e gjykatëses Dobrilla Kacarska. Gruevski lajmin se duhet të vuaj burgun për furnizimin e “Mercedesit të blinduar” e mësoi në sallën e gjykatës ku gjykohet për rastin tjetër “Titanik”, për parregullsi zgjedhore. Gruevski tha se para një muaji ka paralajmëruar se Apeli do të marrë vendim të diktuar politik.
“Siç e dini, bëhet fjalë për ndjekje politike, për proces të montuar politik që po zhvillohet. E vetmja gjë që ka ndryshuar nga ajo konferencë shtypi ishte se e anuluan për pas referendumit në vend që të bëhet para referendumit, siç ishte planifikuar atëherë. Pjesa tjetër është e njëjtë”- u shpreh Nikolla Gruevski , ish kryeministër.
Apeli përveç vërtetimit të dënimit me burg për Gruevskin, ka ulur aktvendimin e shkallës së parë për ish ndihmës ministrin e Brendshëm Gjoko Popovskin, prej 6 vite e gjysmë burg në 4 e gjysmë. Dënimi i tyre ka të bëjë me rastin “Tanku” të hetuar nga Prokuroria Speciale lidhur me blerjen e një Mercedes Benzi luksoz dhe të blinduar me një vlerë prej 600 mijë euro, përmes një procedurë të parregullt dhe me urdhër të Gruevski. Për këtë rast gjykohet edhe ish-ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, përmes një procesi të ndarë. (INA)