Hoxhallarët kanë ndikuar në rënien e rejtingut të VMRO-DPMNEsë, ndërsa BDI kurrë nuk i ka kërkuar kushte në letër Nikolla Gruevskit. Kështu ka deklaruar vetë kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski në një intervistë në TV NOVA. Duke folur për gjendjen aktuale në vend dhe zvarritjen e formimit të Qeverisë, Gruevski deklaroi se hoxhallarët dhe disa të ashtuquajtur ish-komandantë kanë ndikuar kundër partisë së tij dhe pro LSDM-së.
“Tek disa shqiptarë punonin më tepër emocionet dhe e mbisunduan logjikën dhe filluan të votojnë për LSDM-në duke besuar në gënjeshtrat dhe manipulimet që ua dha. Si rezultat i kësaj ata fituan një pjesë të votave të shqiptarëve, por jo të gjitha votat e shqiptarëve i morën si rezultat i kësaj, ndoshta 10 deri në 15 mijë vota ishin si rezultat i kësaj, gjithçka tjetër u punua në terren, nga fshati në fshat, nga hoxha në hoxhë, nga ndonjë i ashtuquajtur ish-komandanti në tjetrin të ashtuquajtur ish-komandant të cilën dikush tjetër e punoi jo LSDM, LSDM nuk ka kapacitet për këtë”, ka deklaruar lideri I VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Lidhur me formimin e Qeverisë mes LSDM-së dhe BDI-së, Gruevski tha se nëse partia e Zaevit pranon platformën shqiptare ai nga opozita do të pengojë zbatimin e saj. Ndërsa tha se Ahmeti asnjëherë nuk e ka kushtëzuar atë me garanca në letër pasi ka pasur besim.
“Jo rastësisht e shoh tani kërkojnë disa punë me shkresë, nga ne asnjëherë nuk kanë kërkuar, garanca me shkresa. Kemi pasur ne përkujtues, që të mos harrohen disa punë, që brenda viteve mos harrohet diçka, por asnjëherë nuk kemi bërë marrëveshje të nënshkruara e diçka të tillë. Por unë i kuptoj pse kanë nevojë me LSDM-në ta bëjnë. Zaev gjithmonë gënjen. Ai me vetëdije gënjen”, ka thënë Gruevski.
Gruevski tha se edhe pas skadimit të mandatit për formim të Qeverisë ka pasur takime me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, por nuk kanë pasur bisedime. Madje potencoi se nuk do t’i ndihmojë më në të ardhmen kandidatët shqiptarë në zgjedhje lokale. Ai edhe një here ka përsëritur kërkesën e tij se është për zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të mbaheshin së bashku me ato lokalet.