Asfalti në bulevardin “Xhon Kenedi” do të jetë i sigurt për 15 vitet e ardhshme, pati deklaruar kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski. Por, ja se si duket sot…ATMOSFERË
Në kohën kur po bëhej riparimi i rrugëve në këtë bulevard, kreu i kryeqytetit dukej shumë i sigurt.
“Ka ngelur vetëm një pjesë e paasfaltuar, kështu që kur do të jenë të përshtatshme kushtet atmosferike, ka mundësi edhe tani, megjithatë ekspertët thonë që më mirë të jetë më ngrohtë që të mund asfalti mirë të rregullohet, sepse ajo që do të asfaltohet, si e tillë do të qëndroj 15 vjet, nuk e bëjmë vetëm për 2-3 vjet”, kishte deklaruar Koce Trajanovski, kryetari i Qytetit të Shkupit.
Por, gjërat shkuan ndryshe. Ende pa kaluar dy muaj nga përfundimi i punimeve në këtë bulevard, mjaftoi vetëm një shi i rrëmbyeshëm, për ta vërtetuar mungesën e cilësisë së këtij asfalti. Në dy vende, të kësaj rruge është shembur dheu nën asfalt dhe janë shkaktuar gropa. Madje, aty nuk shihet as ndonjë sinjalizim për t’i paralajmëruar shoferët për rrugën e dëmtuar.
Qytetarët janë ata që vuajnë nga dështimet e pushtetarëve. Ata thonë se u dëmtohen veturat por edhe u rrezikohet jeta.
“Normal që është rrezik i madh, gjithë kjo gropë, nuk shihet normal që i dëmtojmë edhe veturat, kjo është turp për neve…Po janë shkaktuar se nuk kanë punuar mirë, shihe tani komunikacioni është i madh, ikim gjithë prej gropave”, tha një qytetar.
“Po na pengon, shumë na pengon, këto janë katastrofë kështu…Janë shumë të rrezikshme sepse munden të na shkaktojnë dëm nëpër vetura…punojmë me shumë kualitet, për këtë arsye janë bërë kështu”, deklaroi një qyetar tjetër.
“…Kjo është e rrezikshme, mundet njeriu të mbytet këtu, por nuk marrin masa, kjo është turp i madh”, tha një qytetar.
Shoferët i dëshpëron kjo gjendje. Një instruktor i autoshkollës flet për dëmet në vetura.
“Me të vërtetë gropat janë shumë të rrezikshme, këto gropa kanë qenë edhe më parë, por tani kinse janë rregulluar, por rinovimi i tyre nuk zgjati as 1 javë apo dy dhe prapë tash kemi problem. Në rrugën ‘Xhon Kenedi’ dy vende janë dy gropa shumë të mëdha…edhe ne çdo ditë në vozitje hasim në shumë pengesa”, deklaroi një instruktor.
Qytetarët bëjnë apel që sa më shpejtë të rregullohet problemi me të cilin përballën ata, derisa nuk janë shkaktuar pasoja edhe më të mëdha.
Ndërsa, të kontaktuar nga Tv Shenja, zyrtarë nga Qyteti i Shkupit thanë se sot brenda ditës do të ndërmarrin masat e nevojshme për rregullimin e kësaj rruge.
Emine Ismaili