Gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit këtë vit për herë të parë kanë mundësi ta marrin terapinë hormonale në barnatoret afër shtëpive të tyre, një lehtësim i rëndësishëm që kursen kohë dhe stres në periudhën e trajtimit. Po ashtu, një grup i pacientëve me kancer triple-negativ me bazë gjenetike kanë hyrë për herë të parë në skemën e trajtimit me terapi të specializuar që mund ta marrin drejtpërdrejt në Klinikën e Onkologjisë. Megjithëse këto janë zhvillime pozitive që tregojnë se ka nisur një lëvizje drejt përmirësimeve të nevojshme, nga organizata për mbrojtjen e drejtave të pacientëve HEMA-ONKO, theksojnë se ndryshimet sistematike në shëndetësi ende mungojnë.
”Ende nuk kemi bërë hapa përpara sa i përket ndryshimeve në sistemin shëndetësor, ligjit për mbrojtje shëndetësore, programeve të skriningut, listës pozitive të barnave, madje as në organizimin e onkologjisë apo disperzimit, që do të thotë se kemi shumë punë për të bërë. Këtë vit kemi bërë disa hapa përpara dhe të cilat janë për t’u përshëndetur por nuk mjaftojnë.”, u shpreh Ama Marjanoviq nga HEMA-ONKO.
Organizata theksoi se do të vazhdojë të punojë edhe më intensivisht për të përmirësuar trajtimin, parandalimin dhe rehabilitimin e pacientëve me kancer.
“Duam të përcjellim mesazh te gratë më të reja, të rrisim vetëdijen sepse kultura shëndetësore në vendin tonë është në nivel shumë të ulët. Ekziston një frikë e përgjithshme nga kontrollet mjekësore, gjë që duhet të ndryshojë përmes ndërtimit të një kulture të parandalimit dhe një programi funksional të skriningut.”, u shpreh nënkryetarja e HEMA-ONKO, Milica Kuzmanoska.
Në këtë aktivitet morën pjesë gra nga disa qytete të Maqedonisë së Veriut.
“Është i nevojshëm çdo bashkëpunim, jo vetëm gratë më gratë por institucionet janë të rëndësishme të jenë të kyçura dhe të na mbështesin.”, u shpreh një qytetare.
“Nuk kemi transport në Sveti Nikollë, nuk kemi aparate nuk kemi as mjekë.”, tha një qytetare.
“Secili nga ne duhet të japë bile më se paku një kontribut të vogël në luftën kundër kësaj smundje të rrezikshme.”, u shpreh një qytetare.
Në përmbyllje, “Pikniku Roz” në Shkup përçoi një mesazh të fortë solidariteti dhe vetëdijesimi për sfidat me të cilat përballen gratë me kancer të gjirit. Organizuar nga HEMA-ONKO me mbështetjen e Medicus Help, ngjarja theksoi rëndësinë e mbështetjes së pacientëve, përmirësimit të sistemit shëndetësor dhe nevojën urgjente për një program efektiv dhe të detyrueshëm skriningu.