Vite me radhë banorët e Komunës së Gostivarit përballen me mungesën e vendparkimeve. Krahas mungesës së vendeve adekuate për parkim, po ashtu problem në vete paraqet edhe parkimi vend e pa vend i automjeteve. Një situatë e këtillë vjen si pasojë kur mungojnë vendet e parkimit në zonën qendrore të qytetit. Kapacitetet aktuale të vendeve të parkimit nuk i plotësojnë nevojat reale, duke patur parasysh numrin e madh të automjeteve që frekuentojnë rrugët e qytetit të Gostivarit. “Është shumë vështirë që të gjendet një vend për parkim, ka disa vende por ato zakonisht janë të zënë dhe duhet që të gjejmë ndonjë vend në periferi për të kryer punë. Duhet që sa më shumë të ketë, sepse në atë mënyrë edhe ne si qytetarë nuk do të shkaktojmë problem në komunikacion duke u parkuar në vende jo të lejuara”, pohon një vozitës nga rrethina e Gostivarit.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ka deklaruar se një nga premtimet e tij në fushatë ka qenë edhe ndërtimi i parkingjeve në kate, por deri më tani nuk është realizuar. Ai tha se punohet në këtë drejtim. “Nga programi i premtuar kemi realizuar rreth 70 për qind. Nuk kemi realizuar premtimin për autobusë të gjelbërt, kemi bërë studim fizibiliti dhe nuk kemi arritur që të gjejmë kompani dhe bëj apel që secila kompani që është e interesuar që të bëjë transportin publik, mund të paraqitet. Këtë e kam dhënë si premtim, por nuk e kam realizuar”, theksoi Taravari.
Ai tha se vitin e ardhshëm, Gostivari do të ketë nëse jo tre, të paktën dy garazhe në kate për parkim. Nga ndërmarrja “Parkingjet dhe Gjelbërimi” thonë se qyteti i Gostivarit ka rreth 840 vende për parkim, por sipas tyre këto vende janë të pamjaftueshme. Sipas tyre, aktualisht punohet në projekt që të zgjerohen hapësirat për vendparkim që aktualisht janë në funksion. Momentalisht punohet që të zgjerohen kapacitetet aktuale për parkim. Nga 840 vendparkingje, planifikojmë që të kemi rreth 1000 vende të tilla. Kjo është një zgjidhje e përkohshme deri në ndërtimin e parkingjeve në kate, pohojnë nga kjo ndërmarrje. “Momentalisht kemi 840 vende për parkim, kurse punojmë që të zgjerojmë vendparkingjet. Punohet në atë drejtim që në disa vende veturat të parkohen jo në mënyrë paralele, por në mënyrë drejtkëndëshe. Me këtë ndryshim, planifikojmë që të fitojmë diku rreth 200 vende shtesë për parkim në qytetin e Gostivarit në këtë fazë”, theksojnë nga Ndërmarrja “Parkingjet dhe Gjelbërimi” në Komunën e Gostivarit.
Edhe Komunës së Gostivarit i mungon transporti publik, prandaj qytetarët nga vendet rurale detyrohen që me automjetet e tyre të udhëtojnë për në qytet, që krijon telashe shtesë në zhvillimin normal të komunikacionit.




