18 Dhjetor
Me 17 vota për, 12 kundër dhe një të përmbajtur, sot këshilltarët e komunës së Gostivarit, kanë hedhur poshtë vendimin e kryetarit të komunës Arben Taravari, për mosnjohjen e kreut të këshillit komunal. Me këtë rast u verifikua edhe njëherë Nasir Musliu si kryetar.
Këshilli komunal në seancën e sotme, shqyrtoi aktvendimet e kryetarit dhe të njëjtët i kundërshtoi. Me vendimin e sotëm të këshillit ne vërtetuam edhe një herë vendimin nga seanca konstituive e 17 nëntorit. Është momenti që kreu komunal të ul tensionet e urrejtjes të pajtohet me gjendjen reale të shumicës në këshill në komunën e Gostivarit dhe bashkë të kontribuojmë në të mirë të komunës sonë – deklaroi Nasir Musliu. Kryetar i këshillit komunal të Gostivarit.
Formimin e kësaj shumice e ka pranuar sot kreu i komunës së Gostivarit Arben Taravari, por i njëjti ka akuzuar BDI-në dhe LSDM –në se këtë shumicë e kanë formuar me presione të shumta ndaj këshilltarëve. Nëse këshilli nuk funksionon si i këtillë, Taravari nuk ka përjashtuar edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja komunale.
Ne do vazhdojmë, do respektojmë shumicën dhe do shohim çfarë ka kontestuese, por për fat të keq ta tregoj aktin e parë destruktiv pse kanë tentuar ta kenë atë shumicë. Sot duhet të ndryshojë dhe plotësohet buxheti për pagat e mësimdhënësve në Gostivar që është më pak se dhjetë për qind e pagesës që marrin mësimdhënësit në komunën tonë dhe ky koalicion Vesel Memedi, Zaev dhe Ahmedi, sot e penguan në Gostivar. Ne për momentin mendojmë se jemi partia më e fuqishme në Gostivar dhe nëse pajtohemi dhe gjejmë mënyrë për të shkuar në zgjedhje pse jo, por nuk e them se definitivisht do jetë ashtu, do e analizojmë – deklaroi Arben Taravari, Kryetar i komunës së Gostivarit.
Votimi i parë për kryetar të këshillit të Gostivarit, siç kishin deklaruar shërbimet komunale, ishte anuluar përshkak të lëshimeve në procesverbale.
Bashkim Sulejmani

