Shkrimtari dhe aktori i njohur, Çun Lajçi, ka sqaruar një shkrim të tij që ka bërë ditën e djeshme, për fushatën e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe fushatat aktuale të partive politike.
Ai sot bëri të ditur se kur e postoi foton e Rugovës përkrah asaj të Kurtit, nuk kishte qëllim t’i krahasonte vlerat e tyre njerëzore, por që kishte një qëllim tjetër.
“Qëllimi im ishte të theksoja se plisi i bardhë në kokat e tyre, ashtu si dhe shumica solide e popullit që dikur donte njërin dhe sot do tjetrin, ishin pjesë e një të vërtete të dy kohëve.
Unë nuk kam për qëllim t’i bëj qejfin as Ramushit, as Lumirit, as Bedriut, e as simpatizantëve të tyre. Dua vetëm të them se, deri në zhdukje, plisi do të mbetet simboli unifikues i popullit tim, dhe populli im do ta zgjedhë prijësin sipas bindjes së vet”, shkroi Lajçi, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Po, unë jam albinist, po aq sa ju jeni rugovistë dhe po aq sa ju të tjerët jeni “Liria ka emër”!
Kur shkrova për fushatën e vitit 2002 të Ibrahim Rugovës dhe postova foton e tij përkrah asaj të Albinit, nuk ishte qëllimi të krahasoja vlerat e tyre njerëzore (mos o Zot!), sepse Rugova ishte dijetar, urtak, shkencëtar, poet, studiues, dhe s’e quajtën kot Bogdani i kohës së tij. Qëllimi im ishte të theksoja se plisi i bardhë në kokat e tyre, ashtu si dhe shumica solide e popullit që dikur donte njërin dhe sot do tjetrin, ishin pjesë e një të vërtete të dy kohëve.
Unë nuk kam për qëllim t’i bëj qejfin as Ramushit, as Lumirit, as Bedriut, e as simpatizantëve të tyre. Dua vetëm të them se, deri në zhdukje, plisi do të mbetet simboli unifikues i popullit tim, dhe populli im do ta zgjedhë prijësin sipas bindjes së vet.
Kur shkrova për Ibrahimin (e shumë nga ju i çuat selame nënës sime në varr), e bëra me qëllimin e një krahasimi tjetër. Por ju, sikur e harruat të djeshmen e vitit 2002, kur platoja e Kurrizit të Dardanisë u mbush me fotografitë e Rugovës me një mbishkrim: “Ky është me Serbinë, mos e votoni shkjaun!”
Dhe vrik u ktheva në një studio televizive, ku një gazetar – analist politik – bëri thirrje:
“Kush është me Albinin, është me Serbinë!”
Më thoni ju që i doni liderët: si mund ta përbini një fjalë të tillë?
A s’jeni ju njëri nga ata që tha analisti?
Si mund t’i thuash një shumice solide: “Kush është me Albinin është me Serbinë”?!
Si mund të jenë gjysma e shqiptarëve “serbë” vetëm për bindjet e tyre, për dashurinë që kanë për Albinin?
Dhe si mund të shani njeriun që po ju shkruan për të vërtetën (që e keni kudo në internet), por jo gazetarin që bën analistin politik, duke sharë dhe duke ua ndërruar mbiemrat shqiptarëve me mbiemrin: Serbia?!
Sa herë iu kam thënë, se unë s’marr vesh nga politika. Por s’mund të hesht para së keqes që po ndodh – që po shitemi lirë te armiku i përjetshëm për poste dhe pasuri!
Si mund të jem unë kundër popullit tim e ta shaj liderin që duan ata?
Si mund t’i kundërvihem zgjedhjes së tyre?
Cila është arsyeja që duhet ta quaj popullin tim “serb,” vetëm pse e do Albinin?
Ku e keni logjikën ju që garoni për poste dhe ju që paguheni ta lavdëroni njërin e ta shani tjetrin?
Po, unë jam i Albinit po aq sa ju jeni rugovistë dhe po aq sa ju të tjerët jeni “Liria ka emër”! Ikni ore, se nuk rruaj ve unë as për Albinin as për liderët që ju i madhëroni!
Ju e gënjeni veten dhe popullin, sepse keni humbur çdo vlerë të njerëzve të mirë që kishim!
Le t’fitoi ai që nuk e vjedh dhe nuk e shet shtetin dhe ai që nuk e mashtron popullin!
20.01.2025