Një 19-vjeçar dhe një vajzë e mitur 14-vjeçare dyshohen se kanë sulmuar fizikisht dhe grabitur një 46-vjeçar në sheshin e qytetit të Kumanovës.
Sipas informacioneve të Sektorit për Punë të Brendshme në Kumanovë, ngjarja ka ndodhur më 12 nëntor 2026, rreth orës 19:00, në sheshin “Marshall Tito”.
Nga policia bëjnë të ditur se 19-vjeçari R.A., nga Kumanova, së bashku me një vajzë 14-vjeçare, dyshohen se kanë përdorur forcë fizike ndaj M.C. (46), po ashtu nga Kumanova, duke i marrë para dhe duke i shkaktuar lëndime trupore.
Pas denoncimit të rastit, zyrtarët policorë të SPB Kumanovë kanë arrestuar 19-vjeçarin rreth orës 23:00 të së njëjtës ditë.
Autoritetet policore njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personave të përfshirë do të parashtrohet kallëzim përkatës.



