I akuzuari Ejup Alimi sot dha deklaratë për rastin “Titanik 3”. Në konsultim me avokatin, koordinatori i grupit parlamantar të BDI-së vendosi se është më mirë të mos flasë, pasi natën kur janë numëruar votat nga votimi në Çair aspak nuk ka qenë prezent në objektin e komunës. Pasi Alimi u tërhoq, prokurorja Fatime Fetai kërkoi të lexohet deklarata e tij e dhënë në PSP-në e dikurshme. Ndaj kësaj ashpër reagoi Alimi dhe për herë të parë në gjykatë foli maqedonisht.
Fatime Fetai më ftoi si dëshmitarë. Nuk kishte procesverbalist kur unë jepja deklaratë. Edhe dëshmitarë tjerë janë keqpërdorur dhe në PSP kanë folur pa avokatë. Pohoj se nuk u respektua procedura, nuk kishte procesverbalist. E mora dokumentin dhe e nënshkrova në mur, derisa isha në seancë në Qeveri. Besoja në drejtësi dhe nuk kam besuar se njerëz me integritet do të bëjnë keqpërdorime në institucionin në të cilin kishim besim të gjithë”-tha Ejup Alimi, i akuzuar në Titanik 3.
Gjykata vendosi që Fatime Fetai ta lexojë deklaratën e Alimit. Më 16 nëntor 2016 ai nuk ka kërkuar përkthim shqip në PSP sepse edhe kupton edhe flet maqedonisht. I është ofruar edhe ujdi me PSP-në si i akuzuar. Nëse gjatë gjithë gjykimit për parregullsitë në Çair në vitin 2013, avokatët dhe Alimi pohonin se ai nuk ka qenë në objektin e komunës kur janë numëruar votat, në PSP ka pohuar se ka qenë.
Bashkëshortja ime ishte kryetare e Këshillit votues, mendoj në vendvotimin 2091 në Çair. Kur filloi të arrijë materiali zgjedhor në Çair unë isha atje dhe e prisja gruan time. E prita në paradhomën e komunës 15 ose 20 minuta, por nuk hyra në dhomën e statistikës”-theksoi Ejup Alimi, i akuzuar në Titanik 3.
Tani gjykata duhet të marrë deklaratë edhe nga Resmie Bislimova. Ajo është dëshmitare e PSP-së, ndërsa gjatë procesit gjyqësor ajo u martua në Gjermani. Tani gjykatësi përpiqet t’i mundësojë asaj të dëshmojë përmes videolidhjes. Bislimovska në PSP ka thënë se Alimi ka hyrë në zyrën e saj, apo në dhomën e statistikave. I ka marrë disa procesverbale dhe më vonë i ka kthyer me të dhëna të përmirësuara para se rezultatet në mënyrë kompjuterike të dërgohen në KSHZ. Ajo në deklaratën e saj ka thënë se pas deklarimit frikësohet për jetën e saj dhe të familjarëve të saj. Ejup Alimi dhe Ismet Guri akuzohen për manipulime zgjedhore në vitin 2013 gjatë zgjedhjeve lokale në Çair.



