Në Gjykatën Penale sot do të kumtohet dënimi për lëndën “Treqind”, në të cilën i akuzuar është ish ndihmës ministri i Punëve të Brendshme, Gjoko Popovski për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me furnizimin publik të 300 automjeteve.
Në seancën e kaluar gjyqësore janë thënë fjalët përfundimtare të prokurorëve nga Prokuroria Speciale Publike dhe të mbrojtjes.
PSP kërkoi dënim për Popovskin për veprën penale për të cilën akuzohet, për të cilën është paraparë burg prej katër deri 15 vite.
Mbrojtja, kërkoi që Popovski të lirohet nga aktakuza. Popovski para Gjykatës tha se nuk është fajtor dhe se procedura e cila është ngrit kundër tij seriozisht ka ndikuar në shëndetin e tij. Tha edhe se në periudhën e kaluar është ballafaquar me shumë kërcënime dhe presione, por nuk precizon se nga kush. Ai u ankua edhe se është pushuar nga puna në MPB, në, siç theksoi, procedurë të dyshimtë disiplinore.
Gjoko Popovski është akuzuar se me furnizimin publik të 300 automjeteve për MPB-në e ka dëmtuar buxhetin për 453.570 euro. Sipas PSP-së, Popovski në mënyrë joligjore i ka ndarë marrëveshje për shitblerje dhe mirëmbajtje të automjeteve Porshe Maqedonisë SHPKNJP Shkup, Ka-Dis SHPK Shkup, Bohemija Automobilë Rous SHPKNJP Shkup, Kolevski SHPK Shkup dhe Auto Kuqa SHPK Shkup, të zgjedhur si oferta më të mira ekonomike.
Seanca të reja gjyqësore sot në Gjykatën Penale duhet të mbahen për lëndët e PSP-së “Tarifa”, “Titanik 2” dhe “Trust”.

