Gjykatësi Jordan Vellkovski i cili ishte në krye të rigjykimit për zjarrin në spitalin modular në Tetovë është tërhequr nga lënda. Nga Gjykata e Tetovës thonë se kjo ka ndodhur me kërkesë të tij për shkaqe shëndetësore, megjithatë në kalendarin e seancave të gjykatës, Vellkovski ka plot seanca tjera, shkruan Portalb.mk.
Pas katër seancave të anuluara për rigjykimin në e rastit të zjarrit në spitalin modular në krye me gjykatësin Jordan Vellkovski, në seancën e pestë në krye të lëndës erdhi gjyqtari Rexhep Musa.
Nga Gjykata e Tetovës thonë se Vellkovski është tërhequr nga lënda për shkaqe shëndetësore.
“Pas shqyrtimit të kërkesës suaj, Gjykata Themelore në Tetovë ju njofton se me kërkesë të gjyqtarit Jordan Vellkovski për shkaqe shëndetësore, me vendim lënda për spitalin modular sipas sistemit AKMIS i është caktuar në punë gjyqtarit tjetër”, thanë nga Gjykata e Tetovës për Portalb.mk.
Megjithatë, nga gjykata nuk u përgjigjën nëse Vellkovski është tërhequr edhe nga lëndët e tjera. Nga gjykata nuk na siguruan as kontakt të gjykatësit Vellkovski.
Nga ana tjetër, sipas kalendarit të gjykatës, Jordan Vellkovski agjendën me seanca e ka mjaft të ngjeshur.
Nga 24 mars 2025 deri më 29 maj 2025, Vellkovski figuron se do të jetë në krye të 60 seancave.


Kontrolluam ueb faqen e gjykatës dhe nga ajo që e vërejtëm ishte se vetëm seanca e modularit është tërhequr nga seancat që do t’i mbajë gjykatësi Vellkovski.
Madje Vellkovski ka të caktuar seancë tjetër në të njëjtën kohë kur do të mbahet seanca e radhës për modularin e udhëhequr tani më nga gjykatësi Rexhep Musa, më 3 prill 2025 në ora 10:00


Nëse gjykatësi në fjalë është larguar për arsye të tjera, atëherë përgjegjësia e tij duhet të caktohet nga Këshilli Gjyqësor që vlerëson nëse gjykatësit kanë bërë shkelje.
Nga Këshilli Gjyqësor na konfirmuan se do të përgjigjen në pyetjet që u parashtruam, megjithatë thanë se nuk e dinë nëse do të arrijnë të na kthejnë përgjigje për dje (21.03.2025), deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.
Përndryshe, Vellkovski ka qenë në krye të gjykimit të parë për zjarrin në spitalin modular, kur në qershor 2023 me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza, ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.
Megjithatë, në maj 2024 Gjykata e Apelit vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.
Sidoqoftë, as gjykimi i parë dhe as rigjykimi nuk mbahen për të vërtetuar pse erdhi deri te zjarri, por të akuzuarit akuzohen për vepra të tjera penale.