Gjykata Themelore Shkupi 1 sot duhet të vendosë në lidhje me kërkesën e Prokurorisë Publike Speciale për paraburgim për ish-kryeministrin dhe kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, për drejtorin e DSK-së Sasho Mijallkov, ish-ministren e brendshme Gordana Jankullovska, ish-ministerin e Transportit, Milje Janakievski dhe ish-sekretarët e Qeverisë, Martin Protugjer dhe Kirill Bozhinovski. Sipas prokurorisë, këta persona janë të dyshuar ne rastet “Titanik”, “Target” dhe “Fortesa” për të cilat gjykata dorëzoi materiale të premten rreth orës 21. Procedura parasheh që së pari Këshilli Penal i përbërë nga tre gjykatës të vendos nëse do të pranojë ose refuzojë kërkesat për paraburgim.
Ndërkaq, të premten vonë dhe të shtunën Gjykata Themelore Shkup 1 hodhi poshtë kërkesat e tjera për paraburgim të kërkuara nga ana e Prokurorisë Publike Speciale. Themelorja vendosi që t’ia marrë pasaportat, ish-zëvendëskryeministrit Vlladimir Peshevski, ish-ministres së Kulturës, Elizabeta Kançevska Milevsa, kryetarit të Gazi Babës Toni Trajanovski, Ivona Talevskës dhe Llatasit. Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën PPS-së për paraburgim të deputetit të BDI-së Ejup Halimi, i akuzuar në lëndën “Titanik”, për shkatërrim të materialit zgjedhor dhe zv drejtorit të Drejtorisë për të Ardhura Publike, Ismet Gurit. /SHENJA/

