5 April 2018 / 16:54
Gjashtë vite burg për Boban Iliq, 6 muaj për Sedat Aliun dhe nga 9 muaj burg për Abdulla Aliun dhe Sami Demirin është epilogu gjyqësor në rastin e Almir Aliut. Gjykatësja e lëndës Maja Denokovska, duke mos dhënë më tepër detaje nga aktgjykimi theksoi se vendimi është marrë duke i bazuar në gjendjen faktike dhe në përputhshmëri me dëshmitë. Gjatë shqiptimit të dënimit, asnjëri nga katër të akuzuarit nuk ishin prezent në sallë. Me epilogun nuk pajtohen familja Aliu. Sipas avokatëve të familjes së Almir Aliut të ndjerë, ky vendim gjyqësor e bën rastin pjesë e rasteve të montuara gjyqësore. Pala dëmtuar paralajmëron se do të ankimojë vendimin.
Ky është edhe një rast të cilin mund ta quajmë të montuar. është turp dënimi 6 vjet për një vepër të tillë serioze. Të gjithë jemi dëshmitarë se për këtë vepër, dënimi është nga 4 deri në 20 vjet, pamë që gjykata nuk i mori parasysh rrethanat rënduese si jetën e humbur të Almir Aliut, e për më tepër i dënoi babai e tij, xhaxhin dhe kushëririn – tha Asmir Alispahiç, Avokat i familjes Aliu.
Familja Aliu paralajmëron padi penale ndaj gjykatëses dhe prokurores së lëndës.
Qartë shihet se këtu ka padrejtësi nga Prokurorja dhe gjykatësja. Ne do të lëshojmë një aktpadi kundër prokurores Suzana Kusigerskas dhe gjykatëses Maja Denokovska – u shpreh Nijazi Aliu, familjar.
Me vendimin nuk pajtohet as Prokuroria Publike e Kumanovës. Ushtruesja e detyrës, Prokurore Publike në Kumanovë, Teuta Bediu Ramadani, në një prononcim për Alsat M paralajmëroi ankimimin e vendimit në Gjykatën e Apelit në momentin kur do ta pranoj atë në formë të shkruar. Në arsyetim do të jepen të rrethanat rënduese mbi veprimet pas veprës penale, arroganca dhe veprimet jo humane të Iliqit.
Me vendimin nuk pajtohet as mbrojtja e Boban Iliqit. Ndonëse avokati tij, Stevan Pavllevski nuk pranoi të prononcohet, prapa kamerave theksoi se do ta ankimojë vendimin pasi sipas tij gjykata ka shqiptuar dënim ndaj një personi i cili nuk është fajtor. Vendimi gjyqësorë vjen dy seanca pas rikualifikimit të veprës nga vrasje në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Deri tek rikualifikimi erdhi pas referimit të lëndës fillimisht në Prokurorin e Lartë dhe më pas në atë Republikane. Në organin Republikan të akuzës, Prokurorët u ndanë në baza etnike, respektivisht ata shqiptarë të cilët u distancuan nga vendimi për rikualifikim. Deri tek rikualifikimi erdhi pas sigurimit të ekspertizës neuropsikiatrike si dëshmi në procedurë, në të cilën ndonëse ashtu siç zbuloi Alsat M kanë punuar ekspert pa licenca valide, është konstatuar se i akuzuari në momentin e kryerjes së aktit ka qenë nën ndikimin e afektit. Rikualifikimi nxiti protesta ku edhe u kërkuar dorëheqja e Prokurores së lëndës dhe gjykatëses, por as Prokuroria Publike dhe as Gjykata Themelore nuk morën parasysh kërkesat e protestuesve. Pas marrjes së vendimit në formë të shkruar, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve. Vrasja e Almir Aliut 4 vjeçar ndodhi më 25 qershor 2016 në Kumanovë, si pasojë e shtypjes me makinë nga tashmë i dënuari Boban Iliq në afërsi të Qendrës së Urgjencës në Kumanovë.